Një gjykatë në Mynih të Gjermanisë e ka dënuar me 10 vjet burgim një gjermane e cila ishte konvertuar në myslimane dhe i ishte bashkuar grupit ekstremist të Shtetit Islamik në Irak.
Ajo u dënua nën akuzat për krime lufte për vrasjen e një vajze të pakicës jazidi të cilën ajo dhe burri i saj e kishin mbajtur si skllave.
Jennifer Wenisch u gjykua si bashkëpunëtore e një krimi lufte dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Gjykata tha se ajo ishte prezente kur burri i saj e la pesëvjeçaren të vdiste nga etja, e lidhur me zinxhirë jashtë dhe të ekspozuar në diell.
Burri i Wenisch, një xhihadist irakian, po gjykohet në Frankfurt. Vendimi për të pritet muajin e ardhshëm.
Vajza pesëvjeçare vdiq në Falluxha në vitin 2015-ë. Ajo dhe burri i saj “blenë” një grua dhe një fëmijë jazidi duke i mbajtur si “skllevër” të shtëpisë, dërisa jetonin në pjesën e Irakut që atëbotë ishte pushtuar nga ISIS-i, tha gjykata.
Avokatët e saj thanë se nëna e fëmijës, e quajtur si Nora, ishte një dëshmitare jo e besueshme dhe ata pretenduan se nuk kishte prova se vajza kishte vdekur në të vërtetë.
Ky është një nga rastet e para të gjykimit të një krimi të ISIS-it kundër komunitetit Jazidi. Jaziditë janë një grup kurd nga Iraku verior, dhe kanë qenë në shënjestër të krimeve të ISIS-it.
Wenisch u gjykua në Gjermani në bazë të asaj që njihet si parim i juridiksionit universal, i cili lejon ndjekjet penale për krimet e dyshuara të luftës, përfshirë gjenocidin, që ndodhin jashtë shtetit.
Ajo u arrestua në Turqi në vitin 2016, më pas u ekstradua në Gjermani, raporton agjencia e lajmeve AFP.