Konflikti që nisi mes disa familjarëve virtualisht përfundoi me rrahje para disa ditësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari”. Tre të dyshuar përfunduan në pranga të Policisë, teksa dy prej tyre u dërguan edhe në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.
Në pamjet që u bënë publike shihet se si të dyshuarit u kapën mes turmës së qytetarëve që po prisnin familjarët e tyre që arritën në Kosovë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre të dyshuarit janë Kastriot Kastrati, si dhe Blerton e Arbnor Haxhia, të dy vëllezër.
Bazuar në informacionet që ka marrë Sinjali, Kastrioti ishte ai që ka udhëtuar për në Kosovë, ndërsa në aeroport ishte duke e pritur dhëndri i tij Arbnori, me vëllain e vet, Blertoni.
Për motive akoma të panjohura, mes Kastrioti dhe Arbnorit, ka pasur një mosmarrëveshje që pasoi me mesazhe kërcënuese dhe eskaloi me rrahje në aeroport.
Me të përfunduar procedurat policore, ndaj Kastriotit dhe Blertonit, Prokurori i Shtetit urdhëroi masën e ndalimit policor për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa Arbnori u lirua dhe ndaj tij u iniciua rasti si ‘Kanosje’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.