Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me vrasjen e 60-vjeçarit në fshatin Vitomiricë të Pejës. Ai është therur për vdekje nga fqinjët e tij.
Si të dyshuar për vrasjen e tij, Policia e Kosovës ka arrestuar dy të mitur.
Atyre iu është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë.
“Rr. Hysen Hykaj, Vitomiricë, Pejë 07.05.2021 – 13:00. Janë arrestuar dy te dyshuar meshkuj kosovarë (të mitur) pasi që pas një mosmarrëveshje me viktimën mashkull kosovar të njëjtin e kishin goditur me mjet të mprehtë, thikë. Si pasojë e goditjeve me thikë, viktima ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore si dhe prokurorit i shtetit. Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë”, thuhet në raport.
Ndryshe, për rastin janë deklaruar edhe familja e viktimës. Ata thonë se nuk e dinë se si ka ardhur deri tek konflikti mes tij dhe fqinjëve.
“Nuk e di që kemi pasë diçka. Para dy ditë kam qenë këtu në iftar. Sikur të kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje do të më tregonte. Më lajmëroi gruaja e tij se ai ka vdekur, ajo nuk e di si ka ndodhur rasti. Në rrugë ka ndodhur rasti, ai ka qenë duke ardhur për në shtëpi. Ka qenë në shitore. A i kanë dalë në prit a si ka ndodh nuk e di”, ka thënë vëllai i viktimës./