Tashmë ka filluar zbatimi i vendimit të përshkallëzuar të marrë nga Qeveria e Kosovës, për targat ilegale në veri të vendit.
Në pikën kufitare në Jarinje, situata është e qetë, derisa Policia e Kosovës deri në mesditë, ka shqiptuar mbi 30 fletë qortime për të gjithë qytetarët që ende posedojnë në automjete, targat ilegale si KM, PR, etj.
Këto targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, vazhdojnë të lëshohen nga autoritetet e Serbisë.
Siç raporton RTK, në pikën kufitare në Jarinje që ndan Kosovën me Serbinë, deri më tani policia nuk ka hasur në rezistencë, gjatë zbatimit të vendimit të përshkallëzuar.
Sapo ora ka shënuar 24:00, mes të hënës dhe të martës, përkatësisht mes datave 31 tetor dhe 1 nëntor, policia ka filluar ta zbatojë një vendim të tillë.
Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, plani për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, e që përmbajnë akronime të qyteteve të Kosovës, do të zbatohet në disa faza.
Plani i Qeverisë së Kosovës i publikuar me 28 tetor, parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.
Kështu, për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.
Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.
Më pas, nga 21 janari do të jenë targa provuese për dy muaj të tjerë.
E krejt në fund, nga 21 prilli nuk mund të ketë më automjete që qarkullojnë me targa të tilla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe zyrtarë të tjerë të Kosovës, vazhdimisht u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat ilegale me ato të ligjshme.
Kjo, meqë Qeveria u ka ofruar lehtësira administrative si edhe për faktin se ndërprerja e lëshimit nga Serbia të targave të tilla ilegale me akronimet të qyteteve të Kosovës, bazohet në marrëveshjen e Brukselit.
Bazuar në të dhënat e fundit që Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka dhënë për RTK-në, deri me 31 tetor, nga rreth 10 mijë automjete që bartin targa ilegale, vetëm 24 qytetarë i kanë konvertuar ato në RKS.
Kjo për faktin e strukturat ilegale serbe në Kosovë, sidomos në veri të vendit, po u bëjnë presion qytetarëve të atjeshëm, që të mos e bëjnë një gjë të tillë.
Deri më tash, disa qytetarëve që i kanë konvertuar targat, u janë djegur veturat e tyre, dhe kjo shihet si formë kërcënimi.