Një mosmarrëveshje mes fqinjëve të vjetër në fshatin Gradicë të Drenasit ka përfunduar me vrasjen e A.M., 14 vjeç e gjysmë dhe plagosjen e babait të tij B.M. Ky i fundit, sipas familjarëve, ndodhet në koma në QKUK.
Express ka qëndruar sot në Gradicë, aty ku një natë më parë pati të shtëna armësh dhe prani të shtuar të zyrtarëve policorë, që po qëndronin edhe sot në hyrje të shtëpisë së personit të dyshuar Xh.B., i cili mëngjesin e sotëm u dorëzua në polici e më pas të njëjtin veprim e bëri edhe i biri i tij 19-vjeçar.
Në hyrje të shtëpisë së viktimës po qëndron karrigia me peshkir të bardhë. Për kryeshnosh po shkojnë të afërm të viktimës, kryesisht banorë të fshatit, që ndihen të shokuar me tragjedinë e mbrëmshme.
Sipas një banori që i njeh mirë dy familjet, të përfshirët në tragjedi nuk kanë pasur probleme në të kaluarën e as nuk kanë arritur ta kuptojnë motivin e vrasjes.
“Deri dje janë kanë bashkë, s’kanë pas gjë të keqe…Ajo çka ka ndodh mbrëmë ka qenë e momentit, rasti ka ndodh aty në pyll mas orës 20:00. Në ato momente ka punu shejtani, unë isha te familja e viktimës edhe ata janë të befasur me atë çka ka ndodh, që hon e don bashkë janë kanë. Kurrë në jetë asgjë s’kanë pas mes vete. Dy familjet janë të mira, unë i njoh personalisht”, tha ky banor i fshatit për Gazetën Express.
Tutje ai theksoi edhe njëherë se familjet s’kanë pasur telashe mes vete, duke shtuar se “drekë e dekë i kanë mbajt bashkë, absolut kurgjë s’ka pas”.
Ndërsa, nga familja e ngushtë e viktimës nuk dëshiruan të prononcohen për media. Teksa familja e të dyshuarve për vrasjen e të miturit dhe plagosjen e babait të tij, vazhdonte të ruhej nga policia.
Me hetimin e vrasjes po merret Prokuroria Themelore e Prishtinës, një burim i Gazetës Express brenda prokurorisë tha se një pistë e hetimit lidhet me kontest pronësor, por sipas tij është akoma herët të dihen rrethanat e ngjarjes.
Ndërsa, B.M., po vazhdon të trajtohet në Intrensivë në QKUK dhe sipas mjekëve i njëjti ka lëndime serioze, për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit, kryesisht në regjionin e kokës.
Për rastin është deklaruar Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë “ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa personi tjetër i plagosur është duke u trajtuar në QKUK. Aktualisht ju njoftojmë se një person i dyshuar i përshirë në këtë rast është dorëzuar në polici, derisa Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
Ndërsa, Express raportoi se pas dorëzimit në polici të 54-vjeçarit Xh.B., veprimin e njëjtë e ka bërë edhe djali i tij 19-vjeç.
Familjarët thanë se të miturit do t’i jepet lamtumira e fundit nesër në varrezat e fshatit Gradicë.