Në mungesë të të akuzuarit Ymer Dragusha, ka dështuar seanca fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj tij, ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, si dhe Isuf Zejnës, të akuzuar për keqpërdorime në KEK.
Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se i akuzuari Dragusha mungon edhe pse të njëjtit Gjykata ia ka dorëzuar ftesën për këtë seancë, ndërsa fletëdorëzimi nuk është kthyer në Gjykatë, për çka nuk mund të konstatohet nëse i ka shkuar ftesa me rregull, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lexo Edhe:
Kurse, mbrojtësja e Dragushës, avokatja Sabrije Krasniqi tha se nuk ka arritur të kontaktojë me Dragushën.
“Unë e mbroj sipas detyrës zyrtare, prej momentit që kam marrë ftesën kam tentuar të kontaktoj në numrin që kam, mirëpo i njëjti nuk ka pasur qasje dhe tani për tani nuk kam ndonjë informacion”, tha avokatja.
Andaj, në mungesë të Dragushës për të cilin nuk ka dëshmi që është ftuar në mënyrë të rregullt, nuk janë plotësuar kushtet për të vazhduar me shqyrtim fillestar. Kështu që trupi gjykues vendosi ta shtyjë këtë seancë për një ditë tjetër.
Kurse, në raport me të akuzuarin Ymer Dragusha, gjykatësi Beqiri tha se varësisht nga konstatimi në fletëdorëzim do të merren veprimet e nevojshme ligjore, pa përjashtuar urdhërarrestin.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Bauzar në aktakuzë, Dragusha arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Pika e parë e dispozitivit të aktakuzës ngarkon Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.
Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 27 dhjetor 2022, Krasniqi e fton në zyrën e tij të pandehurin Dragusha dhe dëshmitarin Emin Tmava, duke kërkuar nga ta që në kundërshtim me rregullat e LPP-së të fillojnë procedurën e hulumtimit të tregut, me qëllim që të fillojnë procedurën e negociuar për tenderin e lartcekur edhe përkundër faktit se i pandehuri Dragusha e vë në dijeni se një procedurë e tillë është në kundërshtim me rregullat e LPP-së.
Por, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ishte në dijeni se ky veprim ishte i kundërligjshëm, sipas kërkesës së të pandehurit Krasniqi, i pandehuri Dragusha kërkon nga zyrtari Tmava që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e OE “Intering’’, ‘’Monting Energjetika’’ dhe “Litwin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.
Kurse, më 29 dhjetor 2022, Krasniqi dhe Dragusha thuhet se në lidhje me tenderin për procedurë të negociuar, kanë zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë të cekur më lartë, pa qenë anëtarë të komisionit për vlerësim-negocim dhe ende pa u bë njoftimi për shpallje në faqen e e-prokurimit të KRPP-së, ashtu që më 16 janar 2023 pas përfundimit të negociatave me këtë operator, ka bërë njoftimin për shpallje në e-prokurim, me ç ‘rast ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë “Intering” SH.P.K’’ dhe ‘’Monting Energjetika’’ me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik “Litwin S.A”.
Aktakuza thotë se pas eliminimit të dy operatorëve të lartcekur, sipas vendimit të 20 janarit 2023, i pandehuri Krasniqi ka themeluar komisionin për vlerësimin-negocimin e ofertës për aktivitetin e prokurimit “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, në përbërje të: Remzi Beshirit– kryetar i komisionit, Skender Isufit dhe Emin Tmavës, anëtarë, me qëllim të zhvillimit të negociatave me operatorin ekonomik “Litwin S.A”, të cilët në raportin e vlerësimit të 25 janarit 2023, kanë konstatuar se ky operator nuk i ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit si dhe nuk iu ka përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave, duke rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për shkak se operatori ekonomik kishte kërkuar ndryshimin e tri kushteve të tenderit dhe atë: zvogëlimin e garancisë bankare, zgjatjen e afatit për kryerje të punëve dhe uljen e përqindjes së penaltive.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 26 janar 2023, i pandehuri Nagip Kransiqi, përkundër faktit se ishte njoftuar me raportin e komisionit se operatori ekonomik në fjalë nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderit, përmes e-mailit e konfirmon pranimin e kushteve të operatorin ekonomik “Litwin S.A” të paraqitura përmes e-mailit më 25 janar 2023, e urdhëron të pandehurin Dragusha që të nënshkruajë kontratën, e cila u nënshkrua më 27 janar 2024, ende pa u siguruar garancioni bankar i cili do të ekzekutohej në rast të dështimit të kontratës.
Andaj, si rezultat i veprimeve të të pandehurve për periudhën kohore 19 korrik 2022 deri më 6 maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj KEK u detyrua që të importojë energji elektrike në sasi prej 890,016 MWh, duke i shkaktuar KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës dëm në shkallë të madhe, në shumën prej 36 milionë e 349 mijë e 638 euro e 62 centë.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë dhe sanksionuar me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen se në periudhën dhjetor 2021 deri në prill 2023, me dashje, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke i tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim pasuror personit tjetër – operatorit ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C’’ dhe t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë që ushtrojnë veprimtari të tilla, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”, në lidhje me tenderin e prokurimit me procedurë të negociuar, kanë lidhur kontratën me “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në kundërshtim me rregullat e përcaktuara me LPP.
Aktakuza thotë se i pandehuri Nagip Krasniqi, pasi që më parë ishte konsultuar për termat e referencës me të pandehurin Isuf Zejna, aksionar i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, më 2 mars 2023 ka kërkuar nga i pandehuri Ymer Dragusha, që të iniciohet procedura e prokurimit të negociuar për angazhimin e konsulentit për këshillime në aspektin ligjor dhe të prokurimit për kryeshefin ekzekutiv dhe stafin e KEK-ut edhe përkundër faktit se në deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponushmërisë së fondeve DNPDF nuk ishte e paraparë, duke e përcaktuar si operator të vetëm “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me të cilin kishte raporte të ngushta shoqërore në njërën anë e në anën tjetër ky operator paraprakisht në një procedurë të hapur të prokurimit ishte shpallur i papërgjegjshëm, duke qenë në dijeni se për një proces të tillë sipas ligjit duhet të zhvillohet procedurë e hapur e prokurimit.
Tutje, thuhet se i pandehuri Ymer Dragusha, edhe përkundër faktit se ishte në dijeni se kërkesa e të pandehurit Nagip Krasniqi, ishte në kundërshtim me LPP-në, më 2 mars 2023, e fillon procedurën e prokurimit me titull “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” përmes shkresës drejtuar KRPP-së. Aty thuhet se përkundër rekomandimit të KRPP-së, të 6 marsit 2023, që për këtë aktivitet duhet të zhvillohet procedurë e hapur, të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha, kanë zhvilluar procedurën e negocimit me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.
Andaj, thuhet se më 3 prill 2023 pas urdhrit të Krasniqit, i pandehuri Dragusha e nënshkruan kontratën me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën e tretë thuhet se Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha, gjatë muajit dhjetor 2022 e deri më 18 prill 2023 , me dashje në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim operatorit ekonomik “Ergotem S.A”, duke ua shkel të drejtat e personave tjerë e duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në procedurë të hapur, i emërtuar si “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Fillimisht, thuhet se i pandehuri Krasniqi disa muaj pas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për tenderin e shënuar si më lartë, në mënyrë të kundërligjshme i fton në takim përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Ergotem S.A” nga Greqia, me qëllim që të zhvillojnë një vizitë në vendpunishten e KEK-ut dhe në kundërshtim me rregullat e LPP-së i urdhëron zyrtarët përgjegjës të KEK-ut, që t’ia dërgojnë specifikimet teknike të tenderit këtij operatori, ende pa u bërë shpallja e tenderit.
Tutje, sipas pikës së tretë të aktakuzës thuhet se Krasniqi më 15 dhjetor 2022 në mënyrë të kundërligjshme dhe në shkelje të parimit të barazisë dhe jo diskriminimit të përcaktuar në nenin 7 të LPP-së, në një procedurë të hapur ku nuk lejohet njoftimi paraprak i ofertuesve, i shkruan SMS të pandehurit Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallet më 16 dhjetor 2022, të ftohen operatori ekonomik ‘’SBB’’ dhe operatori ekonomik “Ergotem S.A”, duke përcaktuar paraprakisht konkurruesit/ofertuesit e tenderit dhe pastaj në të njëjtën datë bëhet shpallja e njoftimit për kontratë.