Dëshmitarja e parë e zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, hetuesja Zdenka Pumper ka thënë se në paktën 3 me dokumente të sekuestruara nga OVL-UÇK përmban emra të dëshmitarëve të cilët I kishte intervistuar ZPS.
Derisa u është përgjigjur pyetjeve shtesë të prokurores Valeria Bolici, dëshmitarja Pumper ka thënë se dokumentet e paketës 3 kanë përfshirë referenca ndaj informacioneve dhe të dhënave të dëshmitarëve.
Sipas saj, të dhënat në këtë paketë nuk ishin bërë publike nga ZPS.
Prokurorja Bolici: Në lidhje me paketën 3, ju bënë disa pyetje në lidhje me konfidencialitetin e atij dokumenti. Pyetja ime është kjo, paketa 3 a lidhet me hetimet e ZPS-së?
Dëshmitarja Pumper: Po, lidhet.
Prokurorja Bolici: Ky dokument përmban ndonjë informacion, me sa dini ju, që nuk ishte bërë publik nga ZPS?
Dëshmitarja Pumper: Me sa di unë, nuk ishte bërë publik.
Prokurorja Bolici: Përfshinte emra dëshmitarësh që ZPS i kishte intervistuar?
Dëshmiarja Pumper: Po.
Prokurorja Bolici: Përfshinte referenca ndaj informacionesh dhe të dhënash nga këta dëshmitarë?
Dëshmitarja Pumper: Po.
Prokurorja Bolici: Me sa dini ju, ZPS e ka bërë ndonjëherë publik ndonjë emër apo provë apo informatë, të dhënë nga dëshmitarët e saj?
Dëshmitarja Pumper: Me sa di unë jo.
Kjo është dita e gjashtë që në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet hetuesja e ZPS-së Zdenka Pumper, dëshmitare e ZPS-së në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Harandinajt.
Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.
Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.