Monday, November 25, 2024
HomeLajmeDëshmitari thotë se Triumf Riza dhe Arben Selmanaj kishin kërkuar pajtim me...

Dëshmitari thotë se Triumf Riza dhe Arben Selmanaj kishin kërkuar pajtim me Enver Sekiraqën

Në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dëshmitari Gjon Kqira tha se i ndjeri Triumf Riza dhe Arben Selmanaj kishin kërkuar nga ai që të ndërmjetësojë me Sekiraqën.

Kqira tha se pas incidentit në “Swiss Cazino”, ishte kontaktuar nga Arben Selmanaj dhe të ndjerin Riza për t’u takuar dhe se të njëjtit kishin kërkuar nga ai që të ndërmjetësojë me Enver Sekiraqën.

“Takimi ishte rreth punës së Enverit dhe asaj se çka kishte ndodhur me rastin. Unë e kam ditë që rasti ka qenë me polic mirëpo nuk e kam ditë se lidhur me rastin kanë të bëjnë Triumfi apo Arbeni… Arbeni dhe Triumfi kanë qenë bashkë, ma shumë ka bisedu Arbeni, ai më ka thënë kam dëgju se rrinë me Enver Sekiraqën dhe ke kontakt dhe më kanë qitë si ndërmjetësues për mu pajtu Arbeni, Triumfi dhe Enver Sekiraqa”, tha tutje dëshmitari Kqira.

Ai tha se kjo kërkim falje nga Arbeni dhe Triumfi ishte për shkak që e kishin rrahur Enver Sekiraqën.

“Po dihet se për çka, ata më kanë thanë se e kena rrah Enverin dhe kërkojmë pajtim”.

Pas disa ditësh, ai bashkë me djalin e tij tha se kishin shkuar në shtëpinë e Sekiraqës por se i njëjti tha se kishte qenë në spital prej rrahjes që i ishte bërë në “Swiss Cazino”.

Kurse pas takimit, ai tha se Sekiraqa ka deklaruar se do t’i ndjek penalisht ata.

“Unë kur kam shku te Enver Sekiraqa ja kam tregu këto të gjitha që i thash, Enveri më ka thanë a kanë tregu gjon naj arsye pse e kanë bo, unë i kam thënë jo nuk më kanë thanë ndonjë gjë, Enveri më ka thanë se unë do t’i ndjeki penalisht”, tha Kqira, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, dëshmitari Kqira duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, ka sqaruar se ai lidhur me incidentin e ndodhur në “Swiss Cazino” në vitin 2005, kishte dëgjuar përmes mediave pas 1 muaji e gjysmë.

Tutje, ai tha se Enver Sekiraqën e kishte njohur për shkak se ai merret me hotelieri dhe se të njëjtin e kishte pas musafir, e nga i cili kishte filluar nga ajo kohë të marrë edhe kafen e punuar nga ai.

“Enverin e kam pas mysafir dhe rastësisht jena njoftu dhe prezantu dhe më ka ofru një kafe të cilën Enveri e ka punu dhe aty unë e kam marrë në lokalin tim kafen e Enver Sekiraqës dhe aty kemi fillu mu shoqru”, ka thënë Kqira.

Kurse, për Arben Selmanaj tha se është dhëndër i fshatit të tij në komunën e Prizrenit, ndërsa bashkëshortja e Selmanajt tha se është “kumbar” i familjës së tyre.

Tutje, dëshmitari Kqira ka mohuar të ketë pasur njohuri nëse në “Swiss Cazino” ishte plagosur dikush.

Po ashtu, i njëjti ka mohuar ta dijë arsyen e shpërnguljes së Arben Selmanaj në Amerikë.

“Nuk mendoj që ka pasur arsye Arbeni që shkaku i këtij zotërisë, e kam fjalën për Enver Sekriaqën për me lshu Kosovën”, tha tutje dëshmitari Kqira.

Ai tha se me të ndjerin Riza, ai kishte qenë takimi i parë dhe i fundit, kurse për vrasjen e tij tha se ka dëgjuar nga mediat.

Po ashtu, edhe me të akuzuarin Sekiraqa, ai tha se nuk mbanë mend të jetë takuar apo të ketë pasur ndonjë kontaktë me të që nga rasti i sqaruar kur ishte takuar.

Ndryshe, në këtë rast të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023. Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.

Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments