Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë për shkelje të heshtjes zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.
Në Kosovë kjo e shtunë është heshtje zgjedhore. Partitë politike kanë përmbyllur fushatën zgjedhore e cila filloi më 16 shtator dhe përfundoi mbrëmjen e së premtes, konkretisht në ora 00:00.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet, 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet: a) shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; b) bërja e fushatës në çfarëdo mënyre.