Pas samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo, Slloveni, deputetja liberale gjermane, Renate Alt (FDP) raportuese e grupit parlamentar liberal për Europën Lindore e Juglindore reagon me kritika ndaj BE.
Deputetja e Bundestagut e FDP-së, Renate Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe raportuese e grupit parlamentar të liberalëve për Europën Lindore e Juglindore në një prononcim për Deutsche Wellen mban një qëndrim kritik ndaj rezultateve të samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Brdo.
BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humb kështu besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit, thekson deputetja liberale gjermane, Renate Alt.
“Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë. Veçanërisht të rinjtë e arsimuar e të orientuar nga reformat po e lënë vendin që nga viti 2019 në masë dhe kërkojnë diku tjetër një perspektivë për të ardhmen”, kujton Alt, duke përmendur se ky është një zhvillim që BE po e nxit me hezitimin dhe mungesën e unitetit të saj.
Deputetja gjermane, Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
“Sigurisht kjo nuk i çliron nga përgjegjësia 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparime konkrete në fushën e shtetit ligjor, lirisë së mediave dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Për BE ka rëndësi: Bëhet fjalë për influencën e saj në rajon, që po sfidohet nga vende si Kina dhe Rusia e Turqia, si edhe për stabilitetin e kontinentit europian”, shprehet Renate Alt mbi përfundimet e samitit të Brdos.