Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaDeputeti serb: Në luftën njëditore midis Vuçiqit dhe Kurtit, Serbia pësoi disfatë

Deputeti serb: Në luftën njëditore midis Vuçiqit dhe Kurtit, Serbia pësoi disfatë

Deputeti i Partisë Demokratike serbe (PD) Srgjan Millivojeviq ka thënë sot se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të duhet të japë dorëheqjen sepse, siç tha ai në luftën njëditore mes tij dhe Albin Kurtit, ai sakrifikoi rininë serbe në Kosovë.

Duke komentuar pretendimet e ministrit të Kosovës Xhelalj Sveçla se nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq udhëhoqi 30 serbët që sulmuan policinë në Banjskë të dielën, Millivojeviq tha se pjesëmarrja e Radoiçiqit në këtë ngjarje tragjike nuk do të ishte befasi.

“Nëse Radoiçiq ka marrë pjesë në këtë akt të çmendur, atëherë është plotësisht e qartë se pas gjithçkaje qëndron regjimi në Beograd i drejtuar nga Aleksandar Vuçiq. Po ta kishte organizuar Radoiçiqi apo dikush tjetër pa pëlqimin dhe urdhrin e Beogradit, ai tashmë do të ishte arrestuar ose do të ishte fundi për Vuçiqin”, ka thënë ky deputet, transmeton Paparaci.

Ai ka shtuar se shtrohet pyetja se përse merr rrogë drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë, Aleksandar Vullin, i cili duhet të përgjigjet se kush e çoi në vdekje rininë serbe të dielën.

“Pas luftës njëditore mes Vuçiqit dhe Kurtit, humbi Serbia. A beson dikush më se Vuçiq është faktor paqeje në Serbi dhe në rajon? Është vërtetuar se Vuçiq është gjeneratori i konfliktit dhe shkaktari i problemit dhe nëse ai ka pak moral duhet të japë dorëheqjen sepse ka sakrifikuar serbët në Kosovë”.

Ai theksoi se institucionet shtetërore do të duhet të njoftojnë se sa persona kanë vdekur në Banjskë dhe sa janë plagosur dhe arrestuar.

“Në konferencën për media të dielën në mbrëmje, të gjitha informacionet që i dha Vuçiqi ishin gënjeshtra. Qeveria është e detyruar t’i informojë familjet se si dhe pse vdiqën të dashurit e tyre”, ka thënë Millivojeviq.

Ai ka përkujtuar se Lista Serbe, e cila udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq, ka qenë në koalicion me Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin dhe deri vonë me Albin Kurtin.

Nuk kishte armik të serbëve me të cilët, sipas tij, Vuçiqi nuk ishte në koalicion.

“Vuçiqi bëri më shumë për të krijuar një Shqipëri të Madhe se Haradinaj, Thaçi, Kurti dhe të gjithë komandantët e UÇK-së së bashku. Në dhjetë vjetët e fundit ai dorëzoi policinë, gjyqësorin, mbrojtjen civile, Ujmanin, Vallaçin, targat, kodin e zonës, kalimet administrative i ktheu në vendkalime kufitare dhe pranoi ligjet zgjedhore të Kosovës”, ka pretenduar Millivojeviq.

I pyetur nga agjencia serbe e lajmeve “Beta” nëse presidenti Vuçiq e humbi besimin e serbëve në Kosovë pas ngjarjeve tragjike në Banjskë dhe legjitimitetin për të vendosur për zgjidhjen e problemit me Kosovën, Millivojeviq tha se serbët në Kosovë janë para për kusuritje të Vuçiqit.

“Vuçiqit nuk i intereson nëse serbët në Kosovë do të dëbohen, vriten apo do të përfundojnë nën represionin e autoriteteve të Prishtinës”, ka thënë ai.

Sipas tij, shteti i Serbisë është plotësisht në kolaps nën sundimin e Partisë Përparimtare Serbe.

“Vuçiq dhe PPS po e çojnë Serbinë nga disfata në disfatë. Kurti gjeti te Vuçiqi punëkryesin dhe shokun më të mirë në krijimin e Shqipërisë së Madhe”, ka përfunduar Millivojeviq

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments