Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Mefail Bajqinovci dhe Arbër Rexhaj, e kanë vizituar në spital policin e plagosur të shtunën në Skënderaj.
Deputeti Rexhaj në një postim në Facebook ka njoftuar se njëri nga policët tashmë është liruar nga QKUK-ja, ndërsa policit që dyshohet se u plagos me armë zjarri i kanë uruar shërim të shpejtë.
“Uniforma e shtetit duhet të respektohet”, ka shkruar Rexhaj në postim.
Postimi i tij i plotë:
Në cilësinë e deputetëve dhe të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, së bashku me kolegun tim Mefail Bajqinovci vizituam policët e lënduar në Qendrën Klinike Universitare, të cilit i uruam shërim të shpejtë!
Njëri nga dy policët e lënduar në Skënderaj ishte liruar nga QKUK për trajtim në shtëpi.
Uniforma e shtetit duhet të respektohet!
Të shtunën në Skënderaj u plagosën dy policë, ku sipas prokurorisë, i përfshirë në këtë incident është ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku bashkë me disa familjarë të tij. Plagosja e dyfishtë dyshohet se motiv kishte shqiptimin e një tikete të trafikut ndaj një familjari të Lushtakut.
Kujtojmë se ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, dhe të pandehurve të tjerë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.