Ndonëse kanë kaluar dy ditë që nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, nga grupet kriminale serbe, të cilët vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosën një zyrtar policor, Policia e Kosovës ka vijuar me bastisje dhe patrullime të shumta.
Bastisjet kanë vazhduar edhe sot, në Banjskë dhe përreth fshatit, ku janë sekuestruar armë dhe janë arrestuar persona të dyshuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka konfirmuar se tashmë ka përfunduar operacioni i kontrollit dhe bastisjes në këtë zonë.
“Sot në orët e pasdites ka përfundu Operacioni i kontrollit dhe bastisjes në zonën e Banjskës. Nesër në orët e paraditës do të vendoset për hapat e mëtejm” tha Elshani për Indeksonline.
Kujtojmë që vetëm në aksionin e së dielës, Policia ka sekuestruar arsenal armësh, përfshirë armë të kalibreve të rënda, mitraloza, snajperë, minahedhës, dhjetëra AK-47 dhe karikatorë, jelekë antiplumb, uniforma dhe çanta ushtarake, automjete të blinduara, e kështu me radhë./