Thursday, November 28, 2024
HomeTop LajmetDeputetët gjermanë kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Deputetët gjermanë kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Në Bundestag u zhvillua debati i parë për të trajtuar kërkesën e qeverisë gjermane për zgjatjen me një vit të mandatit të Bundeswehrit në Kosovë.

Michael Roth, ministri i Evropës i Gjermanisë, kërkoi në emër të qeverisë gjermane miratimin e zgjatjes së mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it, duke sjellë si argumentin kryesor se edhe në vitin e 23-të që nga përfundimi i luftës së Kosovës, prezenca e KFOR-it mbetet e nevojshme: “Kush merret me Ballkanin Perëndimor e sidomos me Kosovën në vitin 2021, ai do të konstatojë se ky rajon i vuajtur ende është larg nga pajtimi i qëndrueshëm, nga paqja, nga stabiliteti”, tha Roth.

Politikani socialdemokrat nënvizoi edhe perspektivën evropiane të Kosovës. “Ballkani Perëndimor është oborri i brendshëm i Evropës dhe ne kemi një interes shumë të madh që ta jetësojmë perspektivën evropiane që kemi premtuar në vitin 2003 për vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe për Kosovën.”

Roth lavdëroi axhendën e kryeministrit Kurti: “Gjendja aktuale në Kosovë është më shpresëdhënëse sa kurrë më parë. Kemi një qeveri të re me në krye Albin Kurtin që i ka vënë vetes si synim të luftojë korrupsionin dhe të forcojë shtetin e së drejtës. Ai ka një maxhorancë të qëndrueshme në parlament, por nuk do të funksionojë pa mbështetjen tonë”, tha Michael Roth.

“Luftimi i pandemisë e ka treguar se BE-ja nuk është e vetmja që shihet si çerdhe e demokracisë, mirëqenies dhe sigurisë. Nëse ne lëmë aty një boshllëk, atëherë mund të vijnë edhe të tjerët, si Rusia dhe Kina e të zënë vendin tonë”, paralajmëroi Roth.

Thomas Silberhorn, CSU; sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, tha se është e padiskutueshme që për një paqe të vazhdueshme nevojitet një dialog midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është e vetëkuptueshme se e drejta e vetëvendosjes vlen edhe për popullin e Kosovës. Dhe është e padiskutueshme që për një paqe të vazhdueshme nevojitet një dialog midis Kosovës dhe Serbisë dhe është e gëzueshme që ky dialog si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë ka shkuar më përpara se në grupin parlamentar të parafolësit tim”, deklaroi ai.

Silberhorn shfrytëzoi rastin të falënderohej edhe te të 130 000 ushtarët gjermanë të KFOR-it që kanë marrë pjesë në këtë mision qysh nga viti 1999. “Për këtë angazhim për të shtensionuar dhe stabilizuar gjendjen në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, angazhim  që u ka lënë edhe gjurmë në trup dhe shpirt, unë dua të shpreh njohjen time të lartë dhe respektin tim të thellë”, tha ai.

Silberhorn tha më tej se KFOR-i në Kosovë është në vijën e tretë: pas Policisë së Kosovës, në radhën e dytë është misioni policor i EULEX-it të Bashkimit Evropian, por që nevojitet si një forcë “robuste ndërhyrjeje” dhe “faktor stabilizues.”

Renata Alt, nga Partia Liberale, FDP, në fjalën e saj u shpreh kundër ideve për ndryshimin e kufijve, duke cituar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me fjalët: “Kjo nuk përshtatet me kohën tonë. Ajo kërkoi një angazhim diplomatik në nivelin më të lartë nga ana e BE-së, pasi potenciali i shkallëzimit është shumë i lartë.”

Renata Alt, kujtoi se kredibiliteti i BE-së në Ballkan është prej kohësh në rrezik: “Është komplet e pakuptueshme se përse Kosova ende nuk ka liberalizim vizash”, tha ajo dhe kërkoi nga Gjermania që të përdorë më shumë peshën e saj për ta mbështetur Kosovën në këtë pikë.”

Sarrazin: “Njohja e Kosovës është e panegociueshme”

Deputetët e tjerë që do ta merrnin fjalën më pas  u shprehën pro zgjatjes së angazhimit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.

Manuel Sarrazin, nga Të Gjelbrit, kujtoi se kjo është një pikë për të cilën janë të një mendimi si ministrja e jashtme e Kosovës, ashtu edhe presidenti i Serbisë: “Që të dy thonë se KFOR-i duhet të jetë patjetër i pranishëm në Kosovë.”

Ashtu sikurse Alt, edhe Manuel Sarrazin bëri thirrje për liberalizimin e vizave me Kosovën: “Është e papërfaqësueshme që Kosova të mbetet përjashta, edhe pse i ka përmbushur kushtet”, tha si. Sarrazin kërkoi gjithashtu që Gjermania të angazhohet më shumë për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së: “Kosova duhet të njihet si shtet, kjo është e panegociueshme për ne”, tha deputeti i të gjelbërve.

Sarrazin, në cilësinë e tij si kryetar i Shoqatës së Evropës Juglindore, kishte zhvilluar të martën (18.05.) një pjesë të intervistës me zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla.

Liberalizimi i vizave tani dhe njëherë

Edhe deputetët e CDU/CSU-së që folën më pas, si Christian Schmidt, CSU; dhe Peter Beyer, CDU; kërkuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.  “Ne duhet të flasim më shumë me vendet skeptike, sidomos me Holandën dhe Francën: “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që i kemi vënë ne, pra, Bashkimi Evropian. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe menjëherë”, tha Beyer.

Beyer, i cili është raportues për Kosovën si në Bundestag, ashtu edhe në Këshillin e Evropës, kërkoi nga udhëheqja aktuale e Kosovës që megjithë sfidat e mëdha, si pandemia dhe korrupsioni, të mos e lënë anash procesin e normalizimit me fqinjët veriorë: Procesi i normalizimit me Serbinë duhet të ketë po aq prioritet, tha ai dhe shtoi: “Më mungojnë deklarata në këtë drejtim, si nga presidentja e shtetit ashtu edhe nga qeveria.”

Beyer: Dialogu me përparësi

Beyer, i cili është edhe i ngarkuari i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike,  kujtoi edhe se me qeverinë e Joe Biden-it ekziston edhe një shans për t’u çliruar nga barra e dokumentit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dhe për t’i çuar përpara reformat transatlantike  Deputeti kristiandemokrat hodhi poshtë idenë anëtarësimit të gjithë Ballkanit Perëndimor si bllok në BE: “Kjo do të ishte baraz me pranimin e një dështimi total të politikës së zgjerimit të dhjetë viteve të fundit”, tha ai.

Beyer i kujtoi në fund qeverisë Kurti edhe “detyrat e shtëpisë”, siç e quajti ai, konkretisht, realizimin e Asociacionit të Komunave serbe. Beyer shprehu besimin se Albin Kurti do të ishte në gjendje ta realizonte këtë premtim të mëparshëm të Kosovës, duke kujtuar se të gjitha qeveritë e deritanishme i kanë ikur kësaj çështjeje.“

Kërkesa e qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it u kalua në komisionet përkatëse të Bundestagut. Misioni i Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it u aprovua për herë të parë nga Bundestagu më 11 Qershor 1999 dhe ishte hera e parë që Gjermania dërgonte ushtarë në tokë të huaj. Ushtria gjermane është e detyruar që atëherë të marrë leje nga Bundestagu për çdo zgjatje të misionit. Më 28 qershor 2019, Bundeswehri e reduktoi numrin maksimal të ushtarëve të stacionuar në Kosovë nga 800 në 400. Aktualisht në Kosovë janë të stacionuar 70 ushtarë gjermanë

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments