24 deputetët e përjashtuar të opozitës shqiptare tentuan të futen në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, por u ndaluan nga Garda e Republikës.
Ata mbërritën që rreth orës 8:30 në ambientet e Kuvendit, por Garda nuk i ka lejuar të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës së Kuvendit.
Deputetët e përjashtuar janë konfliktuar me Gardën dhe me deputetët e mazhorancës, të cilët nuk i lejonin të futeshin në sallë. Nga ky konflikt e kanë pësuar edhe disa deputetë të opozitës, të cilët nuk ishin të përjashtuar, por që nuk kanë mundur të futen në seancën plenare të Kuvendit.
Më pas deputetët e opozitës u vunë flakën katër kukullave me fytyrat e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj, që i sollën përpara derës kryesore të parlamentit, duke larguar nga aty simbolin me fjongo rozë për luftën kundër kancerit të gjirit.
Deputeti Flamur Noka i hodhi benzinë manekeneve dhe u vuri flakën, ashtu sikurse ndodhi me karriget e deputetëve në seancën e së hënës.
Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua seanca plenare e parashikuar për sot. Pika e parë e rendit të ditës ishte diskutimi i pr/ligjit, për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri””.
Pas seancës kreu i grupit parlamentar të Partisë demokratike, Gazment Bardhi deklaroi në një prononcim për mediet se, “besoj se cilido që di të lexojë shqip, përjashtimi deputetëve të Kuvendit, 24 deputetëve me masën përkatëse nuk parashikohet në rrethanat që njeh Rregullorja e Kuvendit”.
Pra, shtoi Bardhi, “praktikisht njësoj siç deputetët e burgosur të opozitës janë burgosur pa ligj, edhe deputetët e dënuar janë dënuar pa ligj, sepse ky është një regjim që nuk njeh ligj dhe Kushtetutë, dhe këtë po e tregon edhe me agresivitetin dhe luftën që po bën me deputetët e opozitës, me opozitën në tërësi me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që kanë vendosur t’i qëndrojnë përballë regjimit të Edi Ramës”.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend vendosi dje përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe deputetët e PD, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati.
Sekretariati vendosi të përjashtojë me 40 ditë 20 deputetët Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho dhe Dashnor Sula.
Gjithashtu me 10 ditë është përjashtuar edhe deputeti Edi Paloka.