Një zjarr i madh ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në një depo të pajisjeve mjekësore, që gjendet në rrugën Prishtinë-Ferizaj. Zjarri nuk është shuar akoma. Zjarrfikësit qe disa orë po luftojnë me flakët atje.
T7 sjell pamje me dron, ku shihen dëmet që janë shkaktuar e përpjekjet e zjarrfikësve për të shuar zjarrin.
Tym i madh është krijuar mëngjesin e sotëm, përgjatë rrugës Prishtinë-Ferizaj, pas zjarrit që ka përfshirë një depo. Bëhet fjalë për depon e kompanisë “Koslabor”, ku ruhen pajisje mjekësore.
T7 ka marrë disa pamje nga droni, ku shihen dëmet që janë shkaktuar. Në pamje shihen zjarrfikësit duke vrapuar për ta shuar zjarrin, që po vazhdon ende, dhe Policia e Kosovës. Afër objektit janë mbledhur edhe qytetarë.
Depoja është e ndarë në tri objekte, dhe zjarri duket se ka shpërthyer nga objekti që gjendet në mes.
Ekipi i T7 po qëndron në vendngjarje, ku për ta ka folur Shefki Mehmeti, vëllai i pronarit të objektit, që e shfrytëzon me qira kjo kompani.
Mehmeti ka thënë se nuk e di se cilët janë shkaktarët e zjarrit, por se dëmet janë milionëshe.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, i ka thënë Gazetës Express se nga zjarri s’ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Ahmeti ka thënë se në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt në rrugën Prishtinë -Ferizaj. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ka thënë Ahmeti