Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu pas debatit të sotëm që kishte me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilës i tha se kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm, ka thënë se ndjen keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme.
Debati në mes deputetes Deliu dhe ministres Haxhiu, ndodhi në momentin që kjo e fundit prezantoi ndryshimet e projektligjit për Provimin e Jurisprudencës. Ministrja Haxhiu tha se janë disa persona që po hetohen lidhur me proceset e Provimit të Jurisprudencës që është zhvilluar në të kaluarën.
Kësaj deklarate i është përgjigjur deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se kunati i ministres Haxhiu është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
“Imagjinoni ministrja e Drejtësisë që sot vjen dhe më flet për sistem të drejtësisë në Kosovë e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni sot mua më mban leksione për sistem të drejtësisë, si takoheni me homolog zonja ministre, si e takon ti një ministre të Drejtësisë të Gjermanisë, kur në CV-në tënde shkruan që kuanti ne kemi të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni. Unë nuk kam çka i shtoj kësaj shpifje, sa për dhëndrin, as nuk është arrestuar, dhe është shpifje që ju e keni thënë dhe do të mbani përgjegjësinë tuaj zonja Haxhiu”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërsa, ministrja Haxhiu ka thënë se fjala është për rasatin e Kumanovës derisa ka shtuar se nëse deputetja Deliu-Kodra ka ndonjë informacion, duhet t’ia jap shtetit.
“Për ata që nuk e dinë është fjala për rastin e Kumanovës, le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë sepse është një enigmë e madhe se si ka ndodhur ai rast, ndoshta Blerta Deliu e di, le t’u tregojë Blerta Deliu institucioneve të Kosovës si ka ndodhur rasti i Kumanovës”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkohë, Deliu ka shkruar në Facebook se një seancë e zakonshme që do të duhej të përmbushte misionin legjislativ të Kuvendit, sot u shndërrua në arenë të sulmeve e shpifjeve më të ulta nga ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke dëshmuar në mënyrë konsistente paaftësinë e saj, paturpësisht shfrytëzon besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për ta drejtuar këtë paaftësi si mllef patetik ndaj opozitës, në këtë rast, ndaj meje si deputete e Kuvendit.
“Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë. Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”. Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh. Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet. Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithçka për këtë liri. Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri”, ka shkruar ajo.