Një grua 96-vjeçare gjermane, e cila ishte kapur nga policia pak kohë pas arratisjes para seancën gjyqësore muajin e kaluar nën akuzën për krime lufte në Luftën e Dytë botërore, të martën doli para një gjykatësi në qytezën veriore, Itzehoe.
Irmgard Furchner, e akuzuar për kontribut si 18-vjeçare në vrasjen e 11.412 personave, kur ishte daktilografe në kampin e përqendrimit “Stutthof” mes viteve 1943 dhe 1945, u soll në sallën e gjykatës në një karrocë invalidësh.
Fytyra e saj pothuajse nuk shihej fare, sepse e dyshuara kishte vendosur maskë dhe një shami në kokë, të lëshuara edhe para syve. Kur gjykatësi dhe stafi i gjykatës u futën në sallë, masat e sigurisë ishin të rrepta, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Nga viti 1939 deri më 1945, rreth 65.000 njerëz vdiqën nga uria dhe sëmundjet ose në dhomat e gazit në kampin e përqendrimit afër Gdanskut, në Poloninë e sotme. Në mesin e tyre kishte të burgosur lufte dhe hebrenj.
Gjykimi ndaj të dyshuarës ishte shtyrë, pasi ajo ishte larguar nga shtëpia në mëngjesin e 30 shtatorit dhe ishte arratisur për disa orë para se të kapej nga autoritetet më vonë po atë ditë.