I akuzuari Baki Bakiu, është deklaruar i pafajshëm se më 2018 ia ka dhënë viktimës Ejup Ibrahimi, 40 mijë euro me kamatë prej 30%, për t’i pranuar 52 mijë euro, si dhe 71 mijë euro me kamatë 40%, për t’i pranuar 108 mijë euro, duke e sjellë viktimën në gjendje të mjerueshme financiare.
Këtë deklarim, i akuzuari Bakiu e bëri të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica ka njoftuar të pandehurin si dhe mbrojtësin e tij, avokatin Burim Islami në të drejtën e paraqitjes së kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat të caktuar ligjor.
Në seancë i pranishëm ka qenë edhe i dëmtuari Ejup Ibrahimi.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Baki Bakiu, me dashje ka pranuar dhe ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë materiale të viktimës Ejup Ibrahimi, ku dyshohet se në vitin 2018 ia ka dhënë viktimës mjetet financiare prej 40 mijë euro me kamatë prej 30% për t’i pranuar 52 mijë euro.
Po ashtu, edhe herën e dytë në fund të vitit 2018, ia ka dhënë shumën 71 mijë euro me kamatë 40%, për t’i pranuar 108 mijë euro, duke e sjellë viktimën në gjendje të mjerueshme financiare.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi