Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaDeklarata e plotë e Avni Ademajt për vrasjen e dy ish-zyrtarëve të...

Deklarata e plotë e Avni Ademajt për vrasjen e dy ish-zyrtarëve të PDK-së: Folën me zë të lartë, i kam pa duke rënë në tokë

Avni Ademaj ka deklaruar para prokurores së çështjes se ka qenë në vendin e ngjarjesnë natën kur u vranë dy ish-zyrtarët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj. Avni Ademaj ka thënë se vëllai i tij, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj para se të vriteshin kanë biseduar më zë të lartë, por të njëjtit nuk i ka dëgjuar të jenë sharë apo fyer mes vete. Sipas tij, viktimat kanë biseduar për partinë.

Në deklaratën e tij dhënë prokurores së çështjes, të cilën e posedon Express, Avni Ademaj, ka pohuar se Astriti i ka thënë atij se po e pret një person “i cili do ta vras” dhe çkado që të ndodh, ai e ka porositur që t’ia tregojë një mesazh në telefonin e tij policisë. Megjithatë, rasti paraprakisht nuk është lajmëruar në polici.

I pyetur se çka ka qenë duke bërë në natën kritike, Avni Ademaj është përgjigjur: “Atë natë rreth orës 20:00 isha kthyer nga Prishtina, dola për ta dërguar djalin tek dajët e tij në Pejë dhe sa dola para dyqaneve që i kemi para shtëpive e takova Astritin”.

“Astriti e Kadrijaj kanë biseduar me zë të lartë, por nuk i kam dëgjuar që janë shajtë apo fyer”, ka thënë ai.

“Kur unë u afrova e dëgjova këtë Kadrijaj t’u folë me Astritin për parti dhe unë thash çka u bë, çka ka problem, Astriti mu drejtua më tha “Avni mos u përzij, nuk ka nevojë me folë”, atëherë Kadrijaj mu drejtua kush je ti unë i thash jam vëllai i Astritit e Astriti është vëllai i vogël e krejt çka t’kish me Astritin ki edhe me mua, atëherë Astriti më tha që po lypë që mos me kandidu për kryetar të Komunës së Pejës, atëherë unë thash hajde ulëm e bisedojmë se s’koka një problem i madh, ky Kadrijaj prap më tha mos u përziej dhe iu kthy L.L., pse më ke thënë që janë dy vëllëzer e këta janë tre tash, atëherë Astriti më tha largoje djalin prej këtu, kur jom kthy prap të Astriti e pash që e kishin ngritë zërin këta dhe Astritin e dëgjova kur iu drejtu këtyre dy personave me fjalët, “unë ju kam shti në punë, e ju po më kërcënoni që 13 herë po ma kërcënoni familjen, ma keni pru shpirtin në fyt, çka keni pas të keqe prej meje”, ka deklaruar Avni Ademaj.

Ai ka pohuar se Kadrijaj ka qenë i shoqëruar nga personi me inicialet L.L., dhe më larg i ka parë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njeh.

Për personin me inicialet L.L., Avni Ademaj ka deklaruar se i njëjti ka tentuar ta qetësojë situatën dhe “është munduar të arsyetohet para Astritit”.

“Kur kanë fillu të shtënat unë L.L., vetëm e kam pa duke u larguar dhe ka ikë prej aty, bile ka kaluar kah unë”, është shprehur ai.

Në pyetjen se cilat kanë qenë veprimet e tij pas të shtënave me armë mes Astritit dhe Blerandit, Avni Ademaj ka deklaruar:

“Në ato momente, djali ka dalë dhe më tha “A po më çon te dajtë”, sa jam kthy unë i kam thënë hynë në shtëpi, dhe në momentin kur jam kthy te vendi ku ishte Astriti e kam pa kur ia kanë nis me u gjuajtë Kadrijaj me Astritin….Unë direkt kam shku te vëllai dhe në momentin kur ish tu ra Astriti në tokë, atëherë Kadrijaj ka gjuajtë edhe në mua edhe ai ish në momentin duke ra në tokë, me këtë rast një prej plumbave më ka kap shuplakën e dorës së majtë në pjesën e brendshme….Dy djem i kam pa që janë mundu me marrë armën e Kadrijaj, unë i kam largu dhe i kam marrë që të dy armët i kam fut në bagazhin e kerrit tim për mos me i marrë dikush armët…..Jam afru dhe e kam marrë me dorën e plagosur të majtë armën e Blerandit e cila kishe qenë pa karikator, karikatorin e kishte në tokë po jo në armë, e kam marrë me dorën e majt që fillimisht nuk e kam hetuar që jam i plagosur dhe gjakun që e kisha në dorë kam menduar se është i atyre dyve, pastaj kam shkuar kam marrë edhe armën e Astritit dhe pash që nuk ka plumba tjerë në të dhe që të dyja i vendosa në bagazhin e kerrit tim dhe asnjërën se kam përdorë”.

Tutje, ai ka deklaruar se e ka marrë Astritin në kerr për ta dërguar në spital dhe i ka thënë djalit të tij ta marrë Kadrijajn ta çojë në spital.

“…dhe unë me të shpejtë e kam marrë Astritin me shpresë se është gjallë për ta dërgu në spital dhe djali ka dalë në atë moment dhe i kam thënë kqyre merre edhe qeto e nisu në spital e hajde mbas meje, fjala ka qenë për Kadrijajn që sinqerisht unë nuk e kam ditë se për cilin person bëhet fjalë dhe më vonë i kam mësu mbiemrin dhe me të dy kerret kemi shku në drejtim të spitalit…”, është shprehur vëllai i ish-kandidatit për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj.

Avni Ademaj, është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Ndaj tij, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, kishte caktuar masën e paraburgimit për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments