Gjergj Dedaj më 12 maj ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, së bashku me 11 ambasadorë të tjerë.
Dedaj në këtë intervistë për Gazetën SCANNR, ka thënë se vetëm një klasë politike injorante, e papërgjegjshme dhe përçarëse e jounifikuese, për hakmarrje politike mund të shkaktojë një termet të tillë në diplomaci.
“Në rastin tim hakmarrja dhe ataku i presidentes Osmani dhe ministres Gervalla Schwarz, ishte edhe më i ultë, i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës. Nga fakti që 11 ambasadorëve të tjerë të shkarkuar më 19 maj, ju vazhdua afati i kthimit për disa muaj, kurse mua me erdhi një vendim tjetër edhe me skandaloz, tipik mesjetaro – bizantin, më 26 maj që ta liroj zyrën dhe misionin tim më 27 maj, pra për një ditë! Kjo ishte jo vetëm fyerje, por sulm brutal institucional mbi misionin në Shkup,mbi imazhin, prestigjin,shëndetin dhe karrierën time mbi 30-vjeçare si pjesë e të gjitha ngjarjeve historike të ndodhura para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, kurse këto dy zonjat Osmani e Gervalla Schwarz sa e dijë unë njëra ishte në Australi e tjetra në Gjermani! Fakti qe bashkëshorti i zonjës Osmani ishte diplomat në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ditën e shkarkimit e ngrita si tendencë të saj për të ardhur bashkëshorti i saj në krye të misionit dhe kjo në fakt ndodhi pas kthimit tim të kundërligjshëm dhe të dhunshëm për një dite!”, ka thënë Dedaj.
“Sa i përket ministres Gërvalla Schwarz nuk e kisha komentuar shumë sepse ajo nuk ka përvojë në intrigat politike, nuk ka punuar në Kosovë, nuk është dëshmuar se ka kapacitete dhe as njohuri për politikën e jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është shndërruar në OJQ të Listës Guxo, e cila listë nuk ka asnjë relevancë në politikën kosovare! Thjeshte diplomacia e Kosovës është në krizë dhe koma politike, në kohën kur do ishte me rëndësi të ndodhte e kundërta”, ka thënë Dedaj.
“Në situata të pandemisë globale, kur Kosova mbanë medaljen e zezë për numrin e të vdekurve dhe të të infektuarve, pra është kampion botëror e kësaj tragjedie, dëshmon se pushtetet njëpartiake dhe moniste, nuk mund t’i përmbushin pritjet e qytetarëve të Kosovës. Andaj shkarkimi eventual i presidentes Osmani dhe ministres Gërvalla Schwarz, do ishte shpëtim për agjendën kosovare ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të krijohet një qeveri e gjerë e unitetit, deri në kalimin e kësaj gjendje tragjike dhe kaotike!”, ka thënë Dedaj.