Ish-ministri i Integrimeve Europiane Bekim Çollaku nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB’së që janë rrjedhojë e Rezolutës 1244 duke thënë se është e padobishme e gjithashtu ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj këtyre mbledhjeve.
Çollaku ka thënë se Kosovapër vite me radhë është koordinuar me partnerët strategjikë për të reduktuar frekuencën dhe rëndësinë politike të këtyre takimeve, shkruan lajmi.net.
Ai ka deklaruar se strategjia ka qenë ulja e nivelit të përfaqësimit në takime të cilat ai i quan “monotone dhe të padobishme për Kosovën.
Ish-ministri Çollaku ka kritikuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës se po e bëjnë të kundërten duke marrë pjesë në këto takime duke thënë se UNMIK-u po riaktualizohet dhe po kthehet në skenë politike si akter.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj edhe mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën si rrjedhojë e Rezolutës 1244, janë krejtësisht irelevante dhe të padobishme. Pikërisht për këtë arsye, Kosova dhe partnerët e saj strategjikë ndërkombëtarë, për vite të tëra kanë bashkërënduar punën për ta reduktuar frekuencën dhë rëndësinë politike të këtyre takimeve. Në shërbim të këtij qëllimi, kemi pasur një strategji të qartë që nënkuptonte uljen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në këto takime monotone dhe të padobishme për Kosovën. Kurse tani, me pjesëmarrjën e tyre në këto takime, udhëheqësit e institucioneve tona shtetërore janë duke e bërë krejtësisht të kundërtën. Çfarë është edhe me keq, tani edhe UNMIK-u po riaktualizohet dhe po rikthehet në skenë politike si akterë. Kjo qasje është jo vetem për keqardhje, mirëpo është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për shtetin tonë.”, tha ai.
Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është mbajtur mbledhje ku është trajtuar raporti për Kosovën. Në këtë mbledhje Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani ndërsa Serbia nga ministri i jashtëm, Nikolla Selakoviq. Midis tyre ka pasur edhe përplasje të ashpra.
Në anën tjetër, Osmani është kritikuar për pjesëmarrje në këtë mbledhje e cila rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, pasi shihet si ngritje e nivelit të përfaqësimit në takime në të cilat Kosova zakonisht është përfaqësuar nga ambasadori që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të qartë në qëndrimin e tyre në këtë mbledhje duke kërkuar që misioni i UNMIK-ut në Kosovë të përmbyllet pasi tashmë nuk referon asnjë indikacion pozitiv.