Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e vizitoi sot rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u prit në takim nga menaxhmenti i UP-së, i kryesuar nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti.
Në komunikatën për media u bë e ditur se rektori Sahiti e falënderoi ministren Nagavci për vizitën dhe theksoi vullnetin e UP-së për të bashkëpunuar ngushtë për avancim të mëtutjeshëm të arsimit të lartë.
Rektori e informoi ministren me progresin e Universitetit të Prishtinës, si dhe listoi prioritetet e menaxhmentit drejt realizimit të misionit të institucionit.
“Universiteti i Prishtinës është institucion që ka performancë të mirë dhe me anë të performancës sonë duam të japim shembull për të tjerët,” tha mes tjerash rektori Sahiti.
Rektori Sahiti paraqiti në këtë takim kërkesat e qarta të menaxhmentit të UP-së, në mesin e të cilave theksoi nevojën për një sistem antiplagjiaturë për të gjitha institucionet arsimore në nivel vendi, sigurimin e qasjeve në platforma shkencore, kryerjen e hulumtimeve për nevojat e tregut për 10 vitet e ardhshme, si dhe mbështetjen për zgjerimin dhe konsolidimin e hapësirave akademike dhe infrastrukturës përcjellëse, e të tjera aspekte të rëndësishme për përmirësimin e performancës së UP-së.
Në anën tjetër, e lumtur për vizitën në rektorat u shpreh ministrja Nagavci. Ajo e ftoi menaxhmentin e UP-së që të vazhdojë të jetë transparent, ndërkaq theksoi që MASHT-i do të vazhdojë bashkëpunimin me UP-në, si institucion lider i arsimit të lartë, me kërkesa të qarta dhe duke respektuar parimin e meritokracisë në të gjitha nivelet.
“Pres kontributin dhe angazhimin tuaj që t’i vendosim të gjitha kapacitetet në ngritje të cilësisë së arsimit të lartë,” theksoi ministrja Nagavci.
Menaxhmenti i UP-së dhe ministrja Nagavci, së bashku me përfaqësuesit e kabinetit të saj, të pranishëm në takim, u dakorduan për vazhdim të bashkëpunimit dhe për takime të tjera në të ardhmen e afërt, ku do të trajtohen, veç e veç, çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi.