Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku ka kritikuar Qeverinë derisa ka thënë se po i bën dëm vendit me mosemërimin e ambasadorëve.
Çitaku e ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka thënë se SHBA’të nuk i kanë borxh asgjë vendit, andaj duhet të tregohemi të kujdesshëm.
Çitaku ka thënë se mosemërimi i ambasadorëve është abstenim nga ushtrimi i një prej elementeve më të rëndësishme të vendit.
“Ky nuk është vetëm një mesazh që ne ia dërgojmë vetëm vendit pritës. Në diplomaci në momentin kur nuk dërgon ambasadorë, hapi i radhës është ngrirja e marrëdhënieve diplomatike. Ka mungesë totale të planifikimit dhe kapacitetit për të qeverisur. Ka muaj që është ditur, ambasadorëve në detyrë u është dërguar nota verbale për përfundimin e mandatit. Edhe nëse ne sot i kemi emrat, prapë ka një procedurë. Emrat duhet të kalojnë në procese të brendshme, në komisione parlamentare, pastaj duhet të dërgohen për marrjen e pajtimit në vendin pritës, pastaj është procedura e dorëzimit të kredencialeve, kjo merr muaj”, ka thënë ajo.
Tutje ajo është shprehur se mos pasja e një qëndrimi për marrëveshjen e Washingtonit dhe mosemërimi i ambasadorëve në vendet kryesore, mund ta dëmtojnë Kosovën.