Ish-kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti në një paraqitje direkte në emisionin Frontal në T7, ka mohuar se ekziston arsye tjetër në dorëheqjen e tij nga ky pozicion, përveç moshës.
Sipas Ajetit, gjeneratat e reja do të kenë mundësi t’i trajtojnë më mirë problemet në këtë komunë. Njëkohësisht hodhi poshtë dyshimet se ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë muaj më parë.
“Arsyeja ishte ajo që unë si kryetar i kësaj qendre kam realizuar objektivat e mia dhe qëllimin tim duke fituar zgjedhjet, objektivat e mia janë realizuar. Qëllimi im ka qenë të lëshojmë rrugë brezit të ri dhe strukturave të reja. Kam vullnet dhe përkushtim, por edhe familja ime meriton të përkushtohet pak, prandaj duhet të shijoj vitet e pleqërisë, jam i pensionuar. Fitorja më ka dhënë vullnet që kur është më së miri, duhet të japë dorëheqje” ka thënë ish kryetari i qendrë së LVV-së në Podujevë, Bajram Ajeti.
I pyetur nëse Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje për t’i fituar zgjedhjet lokale, Ajeti tha që atë e kanë kundërshtar të përbetuar.
Madje sipas tij, LDK-ja ka shpifur në mënyrë që të ndikojnë në rezultatin final.
“Jo, Agim Veliun e kemi një kundërshtar të përbetuar dhe më dhimbset subjekti sepse ka përdorur të gjitha mekanizmat, shpifjet që nuk përkon me dinjitetin e një partie, për t’i fituar këto zgjedhje. Kanë ofruar edhe para, prandaj jam i lumtur që bota e LVV është e pastër” tha Ajeti.
Ndërkohë, gjatë së dieles u raportua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pa në Podujevë, ndonëse ishte heshtje zgjedhore. Ai u shpreh që lëvizja e qytetarëve nuk mund të jetë e ndaluar.
Gjatë ditës, Ajeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, konfirmoi dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.