Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po shkon në Bruksel për të dytën herë brenda dhjetë ditësh për ta vizituar NATO-n, raporton Gazeta Express.
Blinken pritet të ketë bisedime me aleatët evropianë dhe të NATO-s lidhur me Afganistanin, Ukrainën dhe çështje të tjera me rëndësi.
Ai ka shkruar në Twitter se pret biseda produktive “për një sërë përparësish të përbashkëta”.
“Në udhëtimin tim të dytë në Bruksel, pres biseda produktive me Aleatët për një sërë përparësish të përbashkëta. Ne jemi më të fortë kur punojmë së bashku. #NejemiNATO”, ka shkruar Blinken.
Departamenti i Shtetit thotë se Blinken do të ketë takime në kryeqytetin belg dhe do të pritet atje nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin për konsultime shtesë. Zëdhënësi i tij, Ned Price tha të hënën se Blinken do ta përdorte vizitën “për të riafirmuar angazhimin e SHBA-së për aleancën Transatlantike si një partneritet kritik për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta”.
Udhëtimi vjen përpara afatit të 1 majit të vendosur nga administrata Trump për tërheqjen e trupave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja nga Afganistani. Ky afat nuk pritet të përmbushet, sipas presidentit Joe Biden dhe zyrtarëve të tjerë ndërsa bisedimet e paqes midis qeverisë afgane dhe Talibanëve mbeten pa përfundim.
Takimet po zhvillohen gjithashtu për shkak të një grumbullimi të trupave ruse përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë që ka shqetësuar zyrtarët perëndimorë ndërsa tensionet midis forcave ukrainase dhe atyre separatistëve pro-Rusisë po rriten në Ukrainën lindore.