Ka perënduar edhe dielli i ditës së shtatëmbëdhjetë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Për këto dy javë e gjysmë, ngjarje të ndryshme dhe të shumta kanë ndodhur në Ukrainë, por edhe në botë.
Më poshtë, rendisim disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që kanë karakterizuar luftën në Ukrainë.
Bisedimet diplomatike: Një telefonatë e përbashkët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman me presidentin rus nuk ka nxjerrë rezultate konkrete. Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelari Olaf Scholz kanë kërkuar armëpushim, por Presidenti Vladimi Putin nuk ka shfaqur vullnet që t’i jap fund luftës. Kështu ka bërë të ditur zyra presidenciale në Francë.
Numri i viktimave: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka thënë gazetarëve se rreth 1,300 trupa ukrainase janë vrarë që prejse ka filluar invazioni rus. Në anën tjetër, burime nga perëndimi kanë vlerësuar të premten, se rreth 6,000 trupa ruse janë vrarë përgjatë kësaj periudhe.
Përpjekjet për evakuim: Korridoret humanitare janë hapur nga Mariupoli, Sumy si dhe nga qyteza e fshatra jashtë kryeqytetit Kiev. Por, bombardimet e vazhdueshme ruse në disa pjesë, edhe afër Kievit, i kanë vështirësuar gjërat. Zëvendëskryetari i Mariupolit, Serhiy Orlov i ka thënë BBC-së se një autokolonë është nisur nga Zaporizhzhya drejt qytetit, me furnizime ilaçesh dhe autobusë për evakuim, por nuk ka siguri se do të depërtojë në qytet.
Luftimet afër Kievit: Përderisa situata është qetësuar në qendër të qytetit, luftimet kanë vazhduar jashtë kryeqendrës. Inteligjenca britanike ka thënë se pjesa më e madhe e forcave ruse gjenden 25 kilometra larg Kievit. Zyrtarët ukrainas kanë shprehur frikën se rusët mund të jenë duke përgatitur një sulm të gjerë dhe të fuqishëm.
Kidnapimi i kryetarit: Qindra banorë kanë dalë në rrugë të qytetit juglindor Mariupol për të protestuar kundër kidnapimit të kryetarit, Ivan Fedorov nga forcat ruse. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij dhe ka akuzuar rusët për nisjen e një faze të re terrori.