Saturday, November 23, 2024
HomeBotaÇfarë do të bëjë Presidenti Biden me 6 trilionë dollarë?

Çfarë do të bëjë Presidenti Biden me 6 trilionë dollarë?

Presidenti Joe Biden ishte në Lejk Çarls të Luizianës të enjten në vazhdën e përpjekjeve për të rritur mbështetjen për propozimet e tij me vlerë 2.3 trilionë dollarë të njohura si Plani për Punësim për Amerikanët, ose i njohur ndryshe si strategjia e presidentit për modernizimin e infrastrukturës. Ky propozim është një ndër nismat madhore që ka prezantuar presidenti në 100 ditët e para në detyrë. Një tjetër ishte Plani për Shpëtim me vlerë 1.9 trilionë dollarë i miratuar nga Kongresi në mars si dhe Plani për Familjet Amerikane i prezantuar në prill.

Këto tre programe së bashku kanë një kosto totale prej 6 trilionë dollarësh dhe do të ndryshojnë rrënjësisht raportin mes qeverisë federale dhe qytetarit.

Bëhet fjalë për programe kaq të mëdha dhe të gjithanshme në ndikim, sa që është e vështirë të kuptohen nga shumë amerikanë. Për shembull plani për infrastrukturën parashikon shpenzime jo thjesht për rrugë e ura, por edhe për përmirësimin e shkollave publike dhe për kujdesin për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Shumë demokratë liberalë i kanë përshëndetur përpjekjet e presidentit, por republikanët dhe demokratë të qendrës kanë shprehur shqetësim se do të rrisin borxhin publik të vendit.

Plani Amerikan për Shpëtim

Ky plan, i njohur edhe si “paketa stimuluese” me një vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh është i vetmi që ka hyrë në zbatim deri tani. Ai përmban dhjetëra elementë por më të rëndësishmet janë:

Fonde emergjente për shtetet, komunat dhe qeveritë e fiseve autoktone. $350 miliardë.

Një pagesë prej 1400 dollarësh e dërguar një herë të vetme për personat në nevojë si dhe 300 dollarë në javë ndihma shtesë për personat që marrin asistencë papunësie. $242 miliardë.

Ulje taksash që paguan një familje në masën 3000-3600 dollarë për çdo fëmjë. Ulja bëhet përmes pagesave mujore. $104 miliardë.

Fonde për të shpëtuar nga falimentimi planet për pagesat e pensioneve. $86 miliardë.

Fonde për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. $50 miliardë.

Testime, masa luftuese, gjurmim i të ekspozuarve ndaj koronavirusit. $47.8 miliardë.

Ndihmë për të paguar qeranë për amerikanët në nevojë. $21.6 miliardë.

Plani për Punësimin e Amerikanëve

Ndryshe nga Plani për Shpëtim, i cili u miratua relativisht pa probleme në Kongres, megjithëse pa mbështetjen e republikanëve, Plani për Punësim është ende në fazën e debateve në Kongres. Shumë kanë shprehur shqetësim për koston e lartë si dhe për termin e gjerë “infrastrukturë”. Kostoja prej 2.3 trilionë dollarësh e këtij plani e bën atë propozimin më të shtrenjtë të administratës aktuale. Ky plan përfshin një numër nismash. Ja disa prej tyre:

Fonde për rrugë, ura, sisteme të transportit publik, aeroporte dhe stacione për karikimin e makinave elektrike. $621 miliardë.

Fonde për shtëpi për të moshuarit si dhe personat me aftësi të kufizuara.$400 miliardë.

Ndihmë për prodhuesit industrialë dhe bizneset e vogla, duke u ofruar qasje në kredi dhe në investime në energjinë e gjelbër. $300 miliardë.

Krijimi, përmirësimi dhe adaptimi i më shumë se dy millionë njësive të banimit për nevojat e personave me të ardhura të ulëta. $213 miliardë.

Përmirësimi i sistemeve të ujit të pishëm, rrjeteve energjetike dhe qasjes në internet të shpejtë. $111 miliardë.

Trajnimi dhe kualifikimi i krahut të punës. $100 miliardë.

Përmirësimi/modernizimi i shkollave publike. $100 miliardë.

Plani për Familjet Amerikane

E treta nismë e madhe e Presidentit Biden me vlerë 1.8 trilionë dollarë përqëndrohet tek familjet dhe fëmijët amerikanë, me premtimin për të zgjeruar mundësitë për arsim, kujdesin parashkollor për fëmijët dhe reduktimin e varfërisë që prek fëmijët. Plani parashikon katër vjet shtesë shkollim falas (dy vjet falas në çerdhe/kopshte për fëmijë nën 5 vjeç si dhe dy vjet falas në institucione komunitare 2-4 vjeçare të arsimit të lartë), si dhe zgjerimin e programeve që parashikohen në Planin për Punësim, duke zgjeruar shpenzimet për kujdesin për fëmijët e familjeve punëtore.

Plani për Familjet parashikon deri në vitin 2025 një ulje tjetër vjetore të taksave që paguajnë prindërit, në bazë të numrit të fëmijëve. $400 miliardë.

Investime në çerdhe/kopshte si dhe në kualifimin e personelit që punon në këto qendra. $225 miliardë.

Krijimi i një programi mbarëkombëtar për lejen e paguar për nevoja familjare. $225 miliardë.

Kujdes falas për 3-4 vjeçarët në kopshte. $200 miliardë.

Ulje e mëtejshme taksash përmes Planit të Kujdesit Shëndetësor për amerikanët që regjistrohen në këtë program. $200 miliardë.

Dy vjet falas në një institucion dy vjeçar të arsimit të lartë. $109 miliardë.

Shtimi i fondit qeveritar që ndihmon me grante të rinjtë që nuk e përballojnë dot koston e universitetit. $80 miliardë.

Ulje e mëtejshme taksash për familjet që shpenzojnë për kujdesin për fëmijët apo për të moshuarit, duke e bërë këtë masë të përhershme. $80 miliardë.

Investime në programet që inkurajojnë nxënësit të vazhdojnë studimet në kolegjet komunitare që tradicionalisht u shërbejnë popullatave më në disavantazh. $62 miliardë.

Dy vjet studime falas në kolegje e universitete që frekuentohen në masë nga të rinj afrikano-amerikanë, të fiseve autoktone apo pakica të tjera. (Përjashtohen të rinj nga familje me të ardhura mbi 125,000 dollarë në vit). $39 miliardë.

Zgjerimi i programit që ofron ushqim falas për fëmijët gjatë orarit shkollor në zonat më të varfra të vendit. $17 miliardë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments