Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka paraqitur, sipas tij, faktet që e bëjnë Sali Mustafën përgjegjës për krimet e pretenduara të kryera në Zllash gjatë vitit 1999.
“I akuzuari dhe vartësit e tij akuzonin viktimat si spiunë dhe kolaboracionistë, ndërkohë që ishin të papabazuara këto akuza, ato ishin një hallkë midis konfliktit të armatosur dhe krimeve të kryera nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, është shprehur Michalczuk.
Për të edhe alibia e prezantuar nga mbrojtja e Sali Mustafës nuk paraqet provë për shfajësimin e tij.
“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”.
Michalczuk ka prezantuar fotografi të shtëpisë ku pretendohet se janë kryer krimet dhe po ashtu fotografi të Sali Mustafës i veshur në uniformë.