Kryeministri Edi Rama do të përballet sot për herë të parë me deputetët e opozitës në Kuvend për çështjen “McGonigal” që pas shpërthimit të skandalit, në një seancë plenare maratonë 24 orë.
Dy grupimet brenda Partisë Demokratike do të përballen të enjten në seancë plenare me kryeministrin Edi Rama për akuzat e ngritura për lidhjen e tij me ish zyrtarin e FBI, Charles Mcgonigal që po hetohet në Amerikë.
Grupimi i drejtuar nga Sali Berisha, ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat pa afat kohor. Kërkesa e tyre është firmosur nga 19 deputetë. Për këtë mazhoranca deklaroi se do të jenë në dispozicion 24 orë.
Nga ana tjetër, grupi parlamentar demokrat i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka kërkuar mbajtjen e një interpelance po për çështjen “Mcgonigal”. Interpelanca me kreun e qeverisë do të kryhet nga deputeti Gazment Bardhi.
Në kuvend është dorëzuar edhe një kërkesë tjetër e grupimit të Sali Berishës, ku mësohet se 13 deputetë kanë dërguar 13 pyetje për kryeministrin Rama, për të shpjeguar më tej lidhjet e tij dhe akuzat për ish zyrtarin e FBI.
Në total janë 1440 minuta, ku pjesë më të madhe të kohës e ka grupi parlamentar socialist me 750 minuta, e ndjekur nga grupi parlamentar demokrat me 350 minuta.
Në seancë, Sali Berisha dhe deputetët e tjerë të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD kanë në dispozicion 10 minuta për diskutime.