Partia Demokratike deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë do të drejtohet nga nënkryetari i partisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
Kjo është bërë e ditur sonte nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pas një takimi pune të kësaj partie.
“Pasi jam njohur me deklaratën e kryetarit të Partisë Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën nënkryetarët e partisë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD Arta Sakja. Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakum në drejtimin e partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e partisë. Në takim kam marrë konfirmimin e nënkryetares Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga nënkryetari i partisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj”, thuhet në njoftim.
Lulzim Basha më herët njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të PD-së për shkak të krizës së thellë në të cilën ndodhet partia.