Kjo recetë përdoret si pjesë e meseve të gatimeve që shtrohen në tryezë por padyshim që mund të konsumohet edhe pa u shoqëruar me diçka tjetër.
Duket pak e pazakontë por djathi i kombinuar me mjaltin është me të vertetë një kombinim i përsosur për shijen.
Përgatitet thjeshtë dhe lehtë, kërkon pak mund e kohë por padyshim që do suprizojë me shijen dhe pamjen e saj jo vetëm ju, por edhe më të dashurit tuaj që do ta provojnë.
Përbërësit për 10 byreçka
250 gramë djathë i bardhë i prerë në feta
5 petë e gatshme
7-8 lugë çaji me mjaltë
5 lugë çaji me fara susami
3-4 lugë gjelle me vaj ulliri
Përgatitja:
Ndizeni furrën në 180 gradë Celcius.
Hidhini farat e susamit në një tigan pa yndyrë dhe piqini lehtë në sobë për 1-2 minuta duke lëvizur tiganin rregullisht.
Hapeni petën e gatshme dhe lyejeni me vaj ulliri.
Vendosni copat e djathit dhe paloseni petën duke i dhënë formë drejtkëndore.
Me një petë të gatshme mund të bëni dy byreçka.
Pjesën e jashtme të byreçkave lyejeni sërish me vaj ulliri.
Futini byreçkat në tepsi dhe piqini për 20 minuta.
Pasi t’i keni nxjerrë nga furra, spërkatini byreçkat me mjaltë dhe farat e pjekura të susamit.
Servirini byreçkat të ngrohta dhe do të magjepseni me shijen e tyre.