Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovë (RTK) është shprehur e zhgënjyer ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat sipas tyre nuk kanë arritur të zgjidhin statusin e mediumit publik.
SPERTK thotë se miratimi i një Ligji të ri do të rregullonte çështjen e pronës dhe financimit të pavarur të RTK-së.
“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh zhgënjimin e saj të thellë ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin e RTK-së. Miratimi i një Ligji të ri, që do të rregullonte çështjet e pronës dhe financimit të pavarur të transmetuesit publik është mëse i domosdoshëm për funksionimin e tij.” – thuhet në komunikatën e kësaj Sindikate.
Kjo Sindikatë kanë theksuar se janë të indinjuar që në kohë fushate dëgjojnë premtime për rritje – duke marrë parasysh që RTK operon me një buxhet të zvogëluar.
“Jemi të indinjuar që edhe në kohë fushatash zgjedhore dëgjojmë premtime për rritje pagash, ndërkohë që RTK-ja operon me një buxhet 2.2 milionë euro më të ulët. Për më tepër, rritja e pagave për punonjësit e RTK-së nuk ka ndodhur që nga viti 2006 – duke dëshmuar një neglizhencë të madhe ndaj të drejtave të tyre.” – vazhdon komunikata.
SPERTK ka thënë se nëse nuk trajtohet me urgjencë çështja e buxhetit, do të adresojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Ata kanë apeluar te të gjitha partitë politike, që të kthejnë vëmendjen ndaj RTK-së – duke theksuar se transmetuesi publik ndodhet në një gjendje të rënduar financiare dhe infrastrukturore.
Që nga viti 2010, RTK financohet direkt nga Buxheti i Shtetit – formë kjo e kritikuar ndër vite. Ndërsa, aktualisht Ligji i RTK-së është i vitit 2012.