Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona gjatë ditës së djeshme, ndërsa 2 të tjerë u proceduan për vepra të ndryshme penale. Dy nga të arrestuarit janë vëllezër. Atyre iu vunë prangat pasi qenë dëshmitarë të një momenti kur një person qëlloi me grusht policin, por kur u pyetën për identitetin e tij, refuzuan të bashkëpunojnë.
Ndërkohë, një 33-vjeçar u arrestua pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij. E frikësuar nga dhuna, ajo është hedhur nga ballkoni i banesës duke pësuar dëmtime trupore. E reja ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i një 56-vjeçari, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, Forca e Posaçme “Shqiponja” gjeti dhe sekuestroi një armë të ftohtë.
Po ashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë arrestimi në flagrancë i një 38 vjeçar, pasi në rrugën “Dedë Gjon Luli”, i ka vjedhur me dhunë një gruaje varësen dhe aparatin celular
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 33 vjeç, pasi në rrugën “Memo Meto”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila është ndjerë e frikësuar dhe është hedhur nga kati i dytë i banesës. Aktualisht kjo shtetase ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.