Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku kanë zhvilluar takime me grupe të çiklistëve, grupe e organizata rinore dhe sportistë e trajnerë llapjanë.
Bulliqi përmes një postimi në Facebook, tha se para tyre shpalosën disa prej prioriteteve që do t’i realizojnë gjatë mandatit si “ndërtimin e shtëpisë së kulturës, palestrës së dytë sportive, galerinë e qytetit, funksionalizimin e kinemasë dhe krijimin e shtigjeve të reja për çiklistët e Podujevës”.
“Këto janë vetëm disa prej synimeve tona që do t’i realizojmë në bashkëpunim me qeverinë Kurti, për këto u zotua edhe ministri Çeku. Podujeva e ka shansin ideal që bashkëpunimi në mes të nivelit qendror dhe lokal të jetë i ngushtë dhe i përditshëm duke siguruar projekte të rëndësishme kapitale, duke e transformuar komunën tonë. Më mirë me Lëvizjen! Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin! Më shumë për Podujevën”, ka thënë Bulliqi.
