Zgjedhjet lokale të caktuara të mbahen më 17 tetor e kanë nxitur kreun e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, që të angazhojë kompani për kryerjen e punëve në “Sheshin e Dëshmorëve” në Podujevë edhe pa nënshkruar kontratë. Për punën e nisur në shtator, zyrtari i Komunës që drejton Bulliqi ka nënshkruar kontratën më 14 tetor të këtij viti. Derisa sipas kontratës së nënshkruar dje, punët në shesh do të duhej të fillonin sot (15 tetor).
Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me kryeministrin, Albin Kurti, më datë 21 shtator kanë ecur nëpër Podujevë ku edhe kanë inspektuar punimet në sheshin e “Dëshmorëve të Kombit”.
Megjithatë një punë e tillë në shesin e qytetit të Podujevës ka qenë duke u kryer ende pa u nënshkruar kontrata zyrtarisht mes Komunës dhe punëkryesit.
Nënshkrimi i kontratës për punën që ka nisur në shtator ka ndodhur vetëm më 14 tetor të këtij viti. Ndërkohë në kontratë shkruan se punimet duhet të fillojnë më 15 tetor, derisa tashmë sheshi është rregulluar.
I gjithë ky projekt i ka kushtuar Komunës së Podujevës 58 mijë e 531 euro e 20 centë, derisa në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës nuk ka ndonjë kontratë tjetër për punime në sheshin qendror të Podujevës.