Ish-komandanti i UÇK-së për Zonës Operative të Nerodimës, Shukri Buja tha në Frontal në T7 se masakra e Reçakut ishte “e planifikuar dhe e përgatitur në mënyrë shumë profesionale”.
Pjesëtarët e forcave serbe që morën pjesë në ekzekutimin makabër të 45 civilëve, Buja tha se u mbështetën edhe nga forcat ushtarake serbe, por tha se “ka pasë edhe banorë shqiptarë që e kanë ndihmuar policinë e Serbisë”.
Buja tha se “njerëzit në Reçak dhe në rrethinë i njohin ata që kanë qenë aty dhe që u kanë prirë” forcave serbe për të hyrë në fshatin e vogël të Shtimes.
“Unë e kam dhënë dëshminë për njërin prej anëtarëve të policisë serbe që ka vepruar në Shtime”, tha Buja.
Ish-komandanti tha se ka pasur policë të rregullt të policisë serbe dhe se “disa kanë qenë me masaka”.
“U ka prirë dikush nga banorët aty. Ka pasë banorë edhe shqiptarë që e kanë ndihmuar Policinë e Serbisë”, tha ai.