Në seancën e të mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj në rastin e njohur si “Brezovica 1”, dëshmitari Bajram Kafexholli, drejtor në Parkun Kombëtar “Sharri”, tha se nga raportimet e rojtarëve kishin vërejtuar se ka degradim të parkut.
“Gjatë periudhës si drejtor i Parkut Kombëtar “Sharri”, në bazë të raportimeve të rojtarëve kemi vërejtur që ka degradim të parkut”, deklaroi Kafexholli.
Sipas tij, degradimi është bërë në atë mënyrë që është bërë hapja e rrugëve, hapje e traseve për ndërtime dhe prerje të masës drunore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këto të gjetura, dëshmitari Kafexholli tha se janë raportuar në formë të shkruar dhe janë njoftuar organet përgjegjëse.
“Bëhet fjalë për zonën 2 dhe 3 të Prakut Kombëtar “Sharri”, zona e Brezovicës, kemi njoftuar Inspektoratin e Ministrisë, pastaj kryeshefin e Agjencionit dhe stafin e Ministrisë. Pastaj, kemi dërguar edhe raporte në Inspektoratin e Komunës së Shtërpcës”, tha ai.
Kafexholli tha se detyrat e Drejtorisë së Parkut janë të specifikuara në Ligjin për mbrojtjen e natyrës, por që qëllimi kryesor është mbrojtja e vlerave natyrore.
“…kryen veprimtarinë e mbrojtjes, mirëmbajtjes dhe përparimit të zonës së mbrojtur me qëllim të ruajtjes së natyrës burimore dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të të mirave të natyrës si dhe mbikëqyrjen e zbatimit dhe kushteve të masave të mbrojtjes në zonën që administrohet, por qëllimi kryesor është mbrojtja e vlerave natyrore, për çka edhe është shpallur si Park Kombëtar”, tha dëshmitari.
Ai tha se Parku Kombëtar “Sharri” funksionon prej vitit 1986, kur dhe është shpallur Park Kombëtar, fillimisht në një sipërfaqe prej 39 mijë hektarë, ndërsa në vitin 2012 është bërë zgjerimi në rreth 54 mijë hektarë.
“Territori i Parkut shtrihet në sipërfaqe prej 54 mijë hektarë të shtrirë në territorin e pesë komunave, duke filluar prej Komunës së Dragashit, Prizrenit, Suharekës, Shtërpcës dhe Kaçanikut”, tha tutje Kafexholli.
Ai theksoi se kjo sipërfaqe është e organizuar në katër zona apo regjime të mbrojtjes.
Zona e parë, sipas tij është zonë strikte ku nuk lejohen aktivitetet e njeriut pa leje të posaçme nga Ministria, zona e dytë apo zona e menaxhimit aktiv, ku lejohen disa aktivitete siç janë kullosat, prerjet sanitare që nënkupton pastrimin e drunjve, pjesa e bletarisë, shfrytëzimi i hapësirave për bletë, e të tjera.
“Kemi zonën e tretë, ku janë të lejuara aktivitetet e ndërtimit me infrastrukturë përcjellëse dhe zonën buffer apo të ndikimit, zona e katërt, e cila është nga kufiri dhe 50 metra jashtë saj, ku aktivitetet në këtë pjesë duhet të harmonizohen me Ministrinë, për shembull nuk lejohet ndërtimi i ndonjë fabrike të mbeturinave apo diçka që bën ndotjen e ambientit”, potencoi dëshmitari.
I pyetur nga prokurori Rasim Maloku e sa zona të parkut janë në Komunën e Shtërpcës dhe në cilat prej tyre lejohet ndërtimi, dëshmitari tha se në Shtërpcë shtrihen tri zona, ku zona e tretë është e destinuar për ndërtim, ndërsa në zona të tjera nuk lejohet ndërtimi.
Ndërsa, lidhur me atë se si përcaktohet në terren ndarja e zonave, Kafexholli u përgjigj se në terren nuk ka shenjëzim fizik të zonave, mirëpo stafi që del në terren është i pajisur me GPS.
“Marrim koordinatat dhe ato koordinata i dërgojmë te personi përgjegjës brenda Ministrisë, përkatësisht Agjencionit (zyrtari i GIS- Geographic information system, pra Sistemit të informacionit gjeografik), dhe këta na e konfirmojnë zonën”, tha dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, meqenëse nuk ka shenjëzim në terren, ndarja e zonave bëhet me koordinata.
“Po, përderisa nuk ka shenjëzim në terren, ne si staf i Drejtorisë vetëm në këtë mënyrë e bëjmë identifikimin”, u shpreh ai.
Kafexholli tregoi se Drejtoria e Parkut administron me të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Sharri”, kurse shtoi se ndarja e zonave (zonimi) është bërë në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, ku edhe specifikohen regjimet e mbrojtjes.
Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.
Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.
Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”
Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.
Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.
Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, akuzohej se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën ku ishte i ndaluar ndërtimi në Parkun Kombëtar “Sharri”. Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami si inspektorë komunalë të ndërtimit akuzohen se nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit të objekteve të ndërtuara në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë. Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se Gentjan Sula si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, Naser Kelmendi si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding”, Arian Idrizaj si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, Labinot Vitija si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, Fatmir Grainca si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, Blerim Imeri si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, Sanije Geci si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17 dhe Riad Hasani si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së.