Brazili ka kaluar në finale të Kupës së Amerikës për herë të dytë radhazi, pasi e mundi 1:0 Perunë në gjysmëfinale të hënën mbrëma.
Lucas Paqueta e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit në Stadiumin Nilton Stantos, për ta dërguar Brazilin në finale për herë të dytë radhazi.
Kjo i jep mundësi skuadrës së Tites ta fitojë Kupën e Amerikës për herë të dytë radhazi kur të takohet në finale me Argjentinën apo Kolumbinë më 10 korrik në Maracana.
Brazili e mbizotëroi Perunë për pjesën më të madhe të ndeshjes, veçanërisht gjatë 45 minutave të parë.
Paqueta e theu akullin për t’i dhënë epërsinë brazilianëve kur shënoi nga afërsia në minutën e 35-të, pasi u shërbye nga Neymari në zonë.
Skuadra e Ricardo Garecas i bëri trysni Selecaos në pjesën e dytë, por i mungoi cilësia e duhur përpara për ta gjetur golin e barazimit.
Brazili mund të ëndërrojë për titullin e dytë radhazi në Kupën e Amerikës kur të takohet në finale më 10 korrik me fituesin e gjysmëfinales së sotme mes Argjentinës dhe Kolumbisë. /Gazeta Express/