Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sot po qëndron në Mal të Zi për vizitë zyrtare.
Ai është pritur nga kryeministri Dritan Abazoviq, i cili në Twitter i bëri një mirëseardhje që ngjante me kërkesën parësore që ka ai ndaj Borrellit.
“Mirësevini në anëtarin e ardhshëm të BE-së”, ka shkruar Abazoviq.
Kryeministri malazez ka shkruar edhe për të ardhmen europiane të vendit të tij, si dhe për rëndësinë e vizitës së Borrellit sot.
“Me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, ne po ndërtojmë një Mal të Zi më të qëndrueshëm dhe më të begatë. Takimi për stabilizim asociimin ndërmjet malit të Zi dhe BE’së për herë të parë mbahet në Mal të Zi. Një nxitje e madhe për Malin e Zi për të vazhduar edhe më shpejt në rrugën europiane. Josep Borrell, mirësevini në anëtarin e parë të ardhshëm të BE-së”, ka shkruar Abazoviq.
Për shkuarjen në Mal të Zi ka shkruar edhe vetë Borrell, i cili përsëriti se situata aktuale e ka vendosur edhe më në krye të listës së prioriteteve integrimin në BE.
“Po e filloj vizitën time të parë në Mal të Zi për të kryesuar Këshillin e Stabilizim-Asociimit BE-Mali i Zi. Konteksti aktual gjeopolitik e bën integrimin në BE një prioritet edhe më të madh. Përqendrimi në reformat e BE-së do t’i lejojë Malit të Zi të ecë përpara në rrugën e tij drejt BE’së, në interes të qytetarëve të tij”, ka shkruar Borrell.
Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut sot po qëndron presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.