Pika kufitare Bozhaj që lidh Shqipërinë dhe Malin e Zi është bllokuar mëngjesin e 14 shtatorit nga një grup punëtorësh të Shqipërisë, pasi policia malazeze ktheu disa prej tyre për shkak të testeve të pavlefshme të COVID-19.
REL raporton se punëtorët bllokuan një pjesë të territorit në anën shqiptare duke shkaktuar trafik më të ngadalshëm në anën malazeze të kufirit.
Çdo mëngjes punëtorët shqiptarë shkojnë në Mal të Zi përmes kësaj pike kufitare.
Sipas masave të fundit epidemiologjike, nga 14 shtatori në Mal të Zi hyjnë vetëm personat që plotësojnë kushtet e caktuara nga Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi.
Në këto kushte përfshihet edhe posedimi i certifkatës së testit negativ ndaj COVID-19.
Hyrja në Mal të Zi u lejohet hyrja vetëm personave që u ka kaluar 14 ditë nga doza e dytë e vaksinës, nëse personi ka një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë ose një test që e ka kaluar sëmundjen jo më i vjetër se 180 ditë, gjithashtu nëse personi ka një test të antigjenit jo më të vjetër se 48 orë.
Aktualisht janë 7.508 raste aktive me koronavirus në Mal të Zi.
Në Qendrën Klinike të Malit të Zi, 57 pacientë me koronavirus pozitiv janë në gjendje të rëndë.
Në Malin e Zi, 31.1 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.