Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shkruar në Twitter për bisedën e sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Blinken ka thënë se e ka falenderuar Kurtin për pritjen e afganëve, ndërsa s’i ka harruar as qytetarët e Kosovës, teksa ka rikujtuar se shumë prej tyre vetë dikur ishin refugjatë.
“Në bisedën time sot me Kryeministrin e Kosovës Albin Kuri e falenderova qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve në rrezik. Qytetarët e Kosovës, shumë prej të cilëve dikur refugjatë vetë, sërish kanë demonstruar gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, shkroi Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Për këtë bisedë, po në Twitter shkroi edhe Kurti, i cili tha se miqësia e Kosovës me SHBA-në po bëhet më e fortë.
“Kënaqësi të flasësh me sekretarin Antony Blinken sot. Ai shprehu vlerësimin e Presidentit Biden për mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë. Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi Kurti.
Rresh 700 afganë të cilët u evakouan nga vendi i tyre për shkak se talebanët e morën pushtetin, janë pranuar në Kosovë. Kosova ka marrë përsipër që t’i pranojë edhe qindra afganë të tjerë.