Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mbajtën një konferencë për shtyp në Uashington.
Në fillim, Blinken iu referua sulmit ndaj bazës amerikane në Jordani dhe u bëri thirrje atyre që shkaktojnë përshkallëzim në Lindjen e Mesme të mos e bëjnë këtë.
“Ne do të përgjigjemi dhe do të zgjedhim se kur dhe si do ta bëjmë”, tha Blinken.
I pyetur nëse veprimet e mëparshme mund të kishin shpëtuar jetë amerikane, Blinken tha se situata aktuale në Lindjen e Mesme është e rrezikshme, më e rrezikshmja që nga 1973.
“E kemi thënë qartë se do të mbrojmë popullin dhe interesat tona. Ne e bëmë atë në Irak, Siri dhe Jemen. Presidenti dëshiron të parandalojë konflikte më të gjera me mesazhin se nëse dikush përfiton nga kjo situatë, ne do të përgjigjemi me forcë. Nuk do të flas për përgjigjen tonë ndaj sulmuesve”, tha Blinken.
Nga ana tjetër, Stolteberg akuzoi drejtpërdrejt Iranin për destabilizimin e rajonit.
Blinken tha se disa vite më parë askush nuk fliste për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, por se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka dhe se doli që dyert e NATO-s ishin të hapura dhe se kjo ishte një humbje për Putinin sepse NATO u bë më i madh.
“Putini donte të zvogëlonte dhe dobësonte NATO-n, e cila tani është më e madhe dhe më e fortë se më parë… NATO është e gatshme të mbrojë çdo metër katror të anëtarëve të saj”, tha ai, duke shtuar se Ukraina është shembulli më i mirë i bashkëpunimit.
“NATO po bëhet më e madhe dhe më e fortë. E gjithë kjo është e kundërta e asaj që dëshironte Putini”, tha Stoltenberg.
Ai thotë se fitorja eventuale e Rusisë do të forconte Korenë e Veriut, Kinën dhe Iranin.
“Rusia mund të dobësohet ndjeshëm ushtarakisht pa humbje jetësh të vendeve të NATO-s dhe SHBA-së, prandaj ne duhet ta furnizojmë Ukrainën me armë. Kjo është mënyra e vetme për të arritur paqen”, shtoi Stoltenberg.