Për t’i organizuar zgjedhjet serbe në Kosovë më 3 prill, zëvendëskryeministri Besnik Beslimi tha se qeveria serbe duhet t’i dërgojë kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës. Pas kësaj, ai thotë se duhet të arrihet një marrëveshje për ta mundësuar ndonjë formë të mbledhjes së votave në Kosovë.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, tha në një intervistë për mediumin serb, KoSSev e ka lënë të hapur mundësinë e arritjes së marrëveshjes për mbledhjen e votave në Kosovë. “Beogradi ka pranuar ta përdorë zyrën ndërlidhëse për ta dërguar një kërkesë të tillë”, ka thënë Bislimi.
“Nuk i takon Qeverisë së Kosovës t’i kufizojë në asnjë mënyrë të drejtat e qytetarëve që kanë të drejtë vote në Serbi. Tashmë është çështje marrëveshjeje”, tha Bislimi.
Bislimi theksoi se mbledhja e votave për zgjedhjet serbe do të bëhet vetëm “nëse arrihet një marrëveshje”.
“Do të pajtoheni me mua se duhet një marrëveshje sepse nuk po nënshkruani një marrëveshje për 20 vitet e ardhshme, por deri në zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kontekst, Qeveria e Serbisë duhet t’ia dërgojë një kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkonte ndihmë për mbledhjen e votave në territorin e Kosovës”, tha Bislimi, duke theksuar se vendet e QUINT-it dhe emisari europian Miroslav Lajçak kanë ofruar mbështetjen e tyre për këtë.
“Në këtë kontekst, z. Kurti tha se është në kontakt të ngushtë me vendet e QUINT-it në përpjekje për ta zbatuar këtë, por me kusht që kjo marrëveshje ta garantojë integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin e vendeve dhe si rezultat do të bëhet lehtësimi i mbledhjes së votave”, tha zëvendëskryeministri.
Ai tha se pret që Beogradi ta kontaktojë Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Bislimi tha se Qeveria e Kosovës dëshiron të mos i kufizojë kurrë qytetarët që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, pasi u pyet nëse do të mbahen zgjedhjet serbe.
“Nuk e di. Në rast se ka një marrëveshje, do të mbahen. Përsa na përket neve, nuk ka dyshim se ne duam të sigurohemi që të mos e kufizojmë kurrë votën e qytetarëve që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Ato duhet të mbahen gjithmonë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjeve që theksojnë qartë integritetin territorial dhe qartësojnë se zgjedhjet bëhen për qytetarët jashtë territorit të Serbisë që kanë të drejtë vote”, tha Bislimi.
Në janar, Kosova nuk ka lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë për disa ndryshime në kushtetutën serbe.