
Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mëpastaj nga Bashkimi Europian “e kanë dëmtuar ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai i ka quajtur masat si gabim që do të duhej korrigjuar.
Për mbetjen e masave në fuqi, Bislimi gishtin e drejtoi kah Hungaria, e cila sipas tij, “si emëruesi më i vogël i përbashkët” nuk e lejoi konsensusin e shumë vendeve të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Bislimi tha se ka pasur vende që kanë qenë pro heqjes së masave ndëshkuese, por se “kompromisi u gjet përmes emëruesit më të vogël të përbashkët”.
“Hungaria nguli këmbë për diçka tjetër, dhe ky pozicion mbizotëroi”, ka thënë Bislimi për EuroNews Albania.
