Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë sqarime sot për punën e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e njeh EURO-n si të vetmen valutë të vlefshme në Kosovë. Bislimi ka thënë se rregullorja s’ka të bëjë aspak me ndalimin e dinarit serb, pasi ai s’ka qenë asnjëherë i lejuar.
Zv.kryeministri Bislimi duke iu përgjigjur Beogradit, ka thënë se kjo rregullore do ta zvogëlojë vetëm hapësirën e veprimit të atyre që ilegalisht kanë sjellë dinarë me thasë për serbët e Kosovës.
Mes tjerash në reagimin e tij, Bislimi ka thënë se transparenca në import e valutave të huaja, konvertimi i tyre në euro dhe trasnferi deri tek përfituesi final s’ka se si të ndikojë në mbarëvajtjen e furnizimeve të përfituesve eventual e as në zvogëlimin e fuqisë blerëse të tyre.
Ky reagim i Bislimi lë të kuptohet se serbët që jetojnë në Kosovë të ardhurat e tyre nga Beogradi mund t’i marrin në Kosovë të konvertuara në Euro.
“Transparenca nё import tё valutave tё huaja, konvertimi i tyre nё Euro dhe transferi tek pёrfituesit final, nuk ka asnjё mundёsi tё ndikojё as nё mbarёvajtjen e furnizimeve tё pёrfituesve eventual e as nё zvogёlimin e fuqisё blerёse tё tyre. Andaj edhe nuk ka se si tё shkaktojё krizё humanitare e as tё privojё cilindo qytetar nga pranimi dhe shpenzimi i tё ardhurave tё tyre”, ka shkruar Bislimi.