Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Faton Bislimi i ka bërë thirrje partisë së tij që të fillojë mobilizimin e fuqishëm për zgjedhjet komunale në vjeshtë dhe të dalë me ekipe fitoresh dhe jo mite të individëve.
Në vjeshtë do të mbahen zgjedhjet e rregullta komunale në Kosovë. Pas debaklit në zgjedhjet e parakohshme nacionale, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës po kërkojnë rikthimin e fuqishëm të kësaj partie në politikë.
Ish-deputeti Faton Bislimi ka thënë se rikthimi i fuqishëm i LDK-së si familje e madhe politike ndodh vetëm me reflektim të brendshëm dhe respekt e jo arrogancë për elektoratin.
Postimi i plotë në Facebook:
Personalizimi i çfarëdo suksesi në politikë nuk i ndihmon as zhvillimit e as garës elektorale të subjektit. Liderët e mirëfilltë nuk thirren kurrë në “unë” por në “ne.” Sukseset nuk arrihen me individualizëm; veç me ekip. E dëmi më i madh, ekipit i bëhet nga personalizimet! LDK duhet ndërtuar ekipe të fitoreve, e jo mite individësh në të cilët as ata vetë shpesh herë nuk besojnë! Vetëm si familje e madhe politike, LDK mund të rikthehet fuqishëm në sfidën e zgjedhjeve lokale – me reflektim të brendshëm e përkushtim përtej vetës; me vlerësime reale e jo dëshirore; me përulje e jo përbuzje për aktivistët; me respekt e jo arrogancë për elektoratin!