Monday, November 25, 2024
HomeLajmeBislimi i përgjigjet Uashingtonit, Brukselit e Berlinit për dinarin: Kushtetuta thotë se...

Bislimi i përgjigjet Uashingtonit, Brukselit e Berlinit për dinarin: Kushtetuta thotë se ka vetëm një valutë në qarkullim

Pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin si valutë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë që Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi.

Në një konferencë për media me Ministrin për Çështje Europiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, Bislimi ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.

“Kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.

Sot një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje për media ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet  që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK’së me të cilin nga 1 shkurti përjashtohen pagesat me dinarë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë” ka thënë zëdhënësi për Pavlovic Today.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje.

Ditë më parë kishte reaguar edhe Bashkimi Europian.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, arsyet, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë, por në përgjithësi Kosova dhe Serbia pritet që të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin në terren”, kishte thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Për këtë vendim, shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, kishte thirrë në takim guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.

“U pyet se si do të zbatohet [vendimi] pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. U shpreh shqetësimi për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”.

Me këtë ishte pajtuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments