Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë sot se Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovës. Kjo pasi sipas Bislimit, Qeveria e Serbisë nuk ka bërë ende kërkesë zyrtare për të kërkuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, me 3 prill të këtij viti.
Bislimi tha se deri më tani kanë pranuar vetëm disa modalitete nga shtetet e QUINT’it dhe OSBE-së lidhur me mënyrën se si do mund të organizoheshin këto zgjedhje në Kosovë.
“Sa i përket zgjedhjeve të Qeverisë së Serbisë, presidenciale dhe parlamentare të datës 3 prill, ka pasur një vendim dhe ka një vendim të Qeverisë së Serbisë që këto zgjedhjeve të organizohen edhe në Kosovë. Ka pasur kërkesa edhe nga vendet e QUINT-it dhe nga OISBE-ja që të shihen modalitetet brenda të cilave mbajtja e këtyre zgjedhjeve të mundësohet. Qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme dhe mbetet e gatshme që të asistojë Qeverinë e Serbisë në rast se qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi përmes praktikave më të mira të vendeve të OSBE-së ose të BE-së, praktika këto që i kemi të përjetuar në rastin e zgjedhjeve që Bullgari i ka mbajtur në disa vende të BE-së apo Rumania”, ka thënë Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme.
Zëvendëskryeministri theksoi se janë në pritje të palës serbe për të dërguar kërkesë për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“Deri më sot ne kemi hasur në jo gatishmëri të palës serbe që t’i ndjek këto praktika. Sipas tyre nevojitet që vendi që dëshiron t’i organizojë zgjedhjet t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së vendit ku dëshiron t’i organizojë për zgjedhje dhe t’i lut për mbajtjen e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Qeveria e Serbisë nuk e ka bërë kërkesën dhe ka preferuar që kërkesën ta bëjë përmes zyrtarit ndërlidhës. Kërkesa i drejtohet institucionit vendimmarrës. Rrjedhimisht deri më tani ne jemi në pritje të kësaj kërkesë nga Qeveria e Serbisë dhe ne nuk kemi substancë për vendimmarrje. Ka pasur propozime për formulime të mundshme, por s’ka pasur kërkesë nga Qeveria e Republikës së Serbisë”, deklaroi më tutje ai.
Ai foli edhe për deklaratën e zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë,Peter Stano, i cili tha sot se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
Këtë deklaratë të Stanos, Bislimi e cilësoi me pasaktësi në konstatim. Kjo pasi, sipas tij nga qeveria kanë deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim është antikushtetuese.
“Mendoj që ka pak pasaktësi në konstatim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jo kushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jo kushtetuese. Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus, zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani”, tha ai.
Lidhur me modelin që është propozuar nga shtetet e QUINT-it, Bislimi tha se ka qenë një përpjekje për të shmangur shkeljet kushtetuese që janë bërë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, viteve të kaluara.
“Përpjekja e shteteve të QUINT-it ka qenë që të gjendet një modalitet i cili tejkalon atë shkelje kushtetuese që ka ndodhur përpara. Tash jemi me datë 22 mars dhe 3 prilli është pas 11 ditësh, dhe Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta trajtojë një kërkesë që nuk ka ardhur nga Qeveria e Serbisë”, tha ai.