Presidenti Joe Biden po e shqyrton mundësinë e përmirësimit të raporteve me Venezuelën, shtet që ka rezerva të mëdha të naftës pas vendimit për ndalim të importit për gazin dhe naftën ruse. Një delegacion i lartë amerikan ka udhëtuar në Venezuelë për të ndërmjetësuar lirimin e dy të burgosurve amerikanë. Megjithatë zyrtarët amerikanë mohuan se lirimi i të burgosurve ishte pjesë e planit për të rifilluar blerjen e naftës nga Venezuela.
Delegacioni i ShBA-ve që ka udhëtuar në Venezuelë është takuar edhe me presidentin Nicolas Maduro, shkruan The New Tork Times.
Venezuela shihet si shtet aleat i Rusisë në hemisferën perëndimore dhe udhëtimi i delegacionit amerikan duket pjesë e agjendës së administratës Biden në vendet autokratike që mund t’i rimendojnë lidhjet e tyre me presidentin Vladimir Putin.
Zyrtarët amerikanë thanë se lirimi i të burgosurve nuk ishte pjesë e një marrëveshjeje me Venezuelën për të rifilluar shitjet e naftës në Shtetet e Bashkuara, e cila ishte ndaluar nën administratën Trump. Për javë të tëra, njerëzit e biznesit amerikan që kanë punuar në Venezuelë kanë pasur diskutime prapa skenës rreth rifillimit të tregtisë së naftës në Amerikë me qeverinë e Maduro.
Venezuela përfundimisht mund të ndihmojë në kompensimin e një pjese të mungesës së shkaktuar nga ndalimi i naftës ruse. Por ekspertët e industrisë paralajmëruan se furnizimet e naftës në Venezuelë do të bënin pak për të zbutur shpejt çmimet e gazit dhe inflacionin amerikan. Rritja e prodhimit të vendit mund të marrë kohë pas viteve të keqmenaxhimit dhe investimeve të pamjaftueshme që kanë shkatërruar sektorin energjetik të vendit.